2 nga të ndaluarit në arrest shtëpie
Katër nga gjashtë punonjësit e fondit “Besa” të arrestuar për mashtrim me kreditë janë lënë në burg nga Gjykata e Tiranës.
Në qeli deri në fund të hetimeve do qëndrojë drejtoresha e filialit, Albana Imami e cila dyshohet se qëndronte ne krye të skemës. E njëjta masë u dha edhe për Blertina Kananin, Mihal Hanxharin dhe Orkida Drizën. Ndërsa në arrest shtëpie, u la Matilda Domi dhe Esmeralda Vaso.
Sipas prokurorisë, Albana Imami, në bashkëpunim me sekserë dhe oficerë kredie, jepnin kredi fiktive, shumat e të cilave i përvetësonin. Gjatë seancës, drejtoresha e filialit, Albana Imami pranoi dhënien e këtyre kredive, por tha se nuk ka qenë e vetëdijshme dhe ka qenë në delir.
Diskutime pati mes saj dhe punonjësve, të cilët në seancë pranuan firmosjen e një numri të kredive, por që këtë e kishin bërë me kërkesë të drejtoreshës Imami.
Ndërkohë, një prej të arrestuarave, Orkida Driza, që sipas prokurorisë luante rolin e sekseres, tha se është përdorur dhe për kredi aty ka çuar edhe fëmijët e saj. Ajo u shpreh se është përdorur dhe është e gatshme të bashkëpunojë me drejtësinë.
Me anë të kësaj skeme mashtrimi këta persona kanë përfituar 3,7 milion euro. Për të mbuluar gropën financiare që krijoi, Albana Imami mori 1,7 milion euro hua me interes nga persona të ndryshëm.
Tv Klan