Seanca për masën e sigurisë ndaj Ilir Beqajt dhe të pandehurve të tjerë në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar është shtyrë dhe do të zhvillohet ditën e nesërme.

Gazetarja e Klan News, Glidona Daci, raportoi se seanca u shty për shkak se avokatët e të pandehurve të tjerë kërkuan kohë që të njihen me aktet e dosjes së SPAK.

Për këtë arsye, gjykata pranoi kërkesën e avokatëve dhe vendosi që seanca të shtyhet ditën e nesërme në orën 12:30.

Ilir Beqaj ka masën e sigurisë arrest në burg, së bashku me Ermal Kurtulajn dhe Alfred Nikollën. Ndërsa dy të pandehur të tjerë kanë masën arrest shtëpie. Masat u dhanë dje dhe sot ishte seanca që do t’ju komunikohej të pandehurve.

Ilir Beqaj akuzohet për abuzim me fondet e Bashkimit Europian përmes Agjencisë Shtetërore të Programit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës, njohur ndryshe si SASPAC.

/tvklan.al