Policia e Tiranës ka arrestuar një person të dyshuar në lidhje me ngjarjen te Astiri pak javë më parë, ku një vajzë e re u mbajt e mbyllur prej tyre brenda një apartamenti të marrë me qira ditore.

Në pranga ka rënë E.B. 36 vjeç nga Tirana, person me precedent të mëparshëm penal. Përfshirja e tij doli nga hetimet për rastin dhe është person i 6 i dyshuar në lidhje me këtë ngjarje.

Ndërkohë, në kërkim vazhdojnë të jenë 5 djemtë e tjerë që u identifikuan nga hetuesit ditët e para pas ngjarjes. Ata janë S. S., 29 vjeç, A. A., 36 vjeç dhe O. A., 31 vjeç, të tre banues në Tiranë; J. S., 26 vjeç, banues në Tepelenë; dhe A. J., 40 vjeç, banues në Vlorë.

Njoftimi i Policisë Tiranë:

Kapet dhe ndalohet një prej autorëve të  dyshuar të ngjarjes së ndodhur me datë 09.01.2025, në Astir.

Si rezultat  i hetimeve intensive, bazuar dhe në informacionet e marra falë inteligjencës policore, nga Strukturat e DVP Tiranë, u bë kapja dhe ndalimi i shtetasit E. B., 36 vjeç, banues në Tiranë, me precedent të mëparshëm penal.

Ndalimi i këtij shtetasi u bë pasi në bashkëpunim me shtetas të tjerë të shpallur në kërkim, kanë mbajtur të mbyllur shtetasen S. Q., në një apartament në Astir.    

Vijon puna për kapjen e shtetasve të tjerë të shpallur në kërkim.

Gjithashtu, vijojnë hetimet në bashkëpunim me Prokurorinë, për dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes dhe identifikimin e personave  të tjerë që mund të jenë përfshirë.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë për veprime të mëtejshme.

/tvklan.al