Anija me flamur turk që do të rikthejë një pjesë të mbetjeve të pretenduara të rrezikshme në vendin tonë, mbërrin mëngjesin e të hënës në Portin e Durrësit, nga ku u nisën në muajin korrik 102 kontejnerët.

Partia Demokratike ka organizuar paraditen e kësaj të diele një protestë kundër kthimit mbetjeve që sipas tyre do të helmojnë gjithë Shqipërinë.

Alarmi për transportin e mbetjeve të rrezikshme nga Shqipëria u dha nga Rrjeti i Aksionit të Bazelit (BAN), një organizatë eksperte në çështjet e drejtësisë mjedisore.

Për përmbajtjen e kontenierëve që u bllokuan në Singapor pasi Tajlanda që ishte destinacioni final lajmëroi se nuk do të lejonte shkarkimin e tyre në portet e saj, kanë nisur disa hetime, si nga prokuroria e Durrësit ashtu dhe nga autoritetet shqiptare në bashkëpunim me institucionin e Bashkimit Evropian, OLAF.

“Është detyra jonë qytetarë që të reagojmë fort, jo vetëm për të kërkuar transparencë, por përgjegjësi para ligjit dhe në burg të gjithë ata nga më i vogli deri tek më i larti. Kjo shkon deri tek Rama”, tha Oerd Bylykbashki.

Por ndërsa hetimet duhet të nxjerrin në pah të vërtetën dhe përgjegjësitë në rast të shkeljeve, Ministria e Transporteve dhe ajo e Mjedisit kanë theksuar se në këto rrethana, nuk mundet që Shqipëria të pranojë apriori rikthimin e ngarkesave të tilla, aq më tepër vetëm mbi bazën e dyshimeve e të spekullimeve, pa realizimin e analizave shteruese dhe provave ligjore të besueshme dhe të verifikueshme.

Tv Klan