Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Tarifat e reja të energjisë janë një tjetër hap i vazhdimit dhe thellimit të reformave në sektorin energjetik shqiptar. Kryeministri Fatos Nano në mbledhjen e parë të ekzekutivit për vitin 2003 me komitetin ndërministror të energjisë, tha se me çmimin e ri të energjisë do të mbulohen shtresat në nevojë të qytetarëve dhe do të ndëshkojmë konsumatorët parazitë.

Çmimi përfundimtarë i energjisë elektrike prek si konsumatorët familjarë ashtu dhe ata jo familjarë. I ndarë në kategori, ky çmim do të jetë, nën 300 kv/h rritet nga 4 deri 4.5 lekë, mbi 300 kv/h rritet mbi 25%, ndërsa konsumatorët jo familjarë dot paguajnë edhe 5% mbi këtë çmim.

Kryeministri Fatos Nano:- “Blloku i parë i këtij shkallëzimi rritja nga 4 në 4.5 për konsumatorët më të varfër, siguron nevojat më të domosdoshme të përdoruesve familjarë, në ato grupe të popullatës kur nuk flitet dhe nuk mund të flitet për harxhim energjie dhe për ngrohje, apo freskim, gatim me energji apo televizor mbi 29 polësh. Ndërkohë kjo ndërhyrje disiplinon ndjeshëm edhe konsumin e shtresave të popullsisë që mund t’i përballojnë këto pajisje shtëpiake. Synimi është që përmes mekanizmave të tregut, t’i drejtojmë konsumet e këtyre shtresave tek burimet alternative dhe efikase, duke u dhënë fund shpërdorimeve që bllokojnë sistemin energjetik në tërësi. Për konsumatorët jo familjarë, parashikohet një rritje e energjisë mbi nivelin e lartë që ata paguajnë deri më sot, prej 5% të tjera, gjë që do të disiplinonin më mirë përdorimin e energjisë prej tyre, duke siguruar një shërbim më cilësor”.

Kryeministri theksoi gjithashtu, se me kontrollin e rritjes së çmimit të energjisë, do të merren jo vetëm administrata financiare, por edhe enti rregullator i energjisë, duke mos lejuar spekulimin në ngritjen e çmimeve dhe të inflacionit. Kjo mënyrë tha Nano do të shmanget, duke mbledhur detyrimet e padeklaruara të fitimit tek përdoruesit tregtarë.

Kryeministri parashikoi që me vjeljen e të ardhurave nga rritja e çmimit të energjisë, KESH do të arrijë të kryejë investimet e duhura në sektorët e shpërndarjes dhe transmetimit, si dhe do të reduktojë subvencionet e energjisë deri në vitin 2005./tvklan.al