Kombëtarja shqiptare e futbollit ka nisur sot zyrtarisht grumbullimin e saj për ndeshjen kundër Danimarkës, e vlefshme për eliminatoret e botërorit. Që në ditën e parë janë afruar të gjithë futbollistët e thirrur nga trajner Josip Kuze përveç Hamdi Salihit, i cili është duke përfunduar kalimin e tij nga Riedi tek Rapidi i Vjenës.

Tekniku i përfaqësueses këto ditë do të zhvillojë nga 2 seanca stërvitore në ditë. Intensiteti i stërvitjes jepet pasi të gjithë i kanë filluar kampionatet me skuadrat e tyre në Europë.

Sfida e 9 shtatorit do të luhet sa për të respektuar kalendarin e ndeshjeve pasi Shqipëria nuk ka më mundësi kualifikimi. Por do të luhet edhe për tifozët pasi në Danimarkë, Shqipëria u shpërfytyrua duke prodhuar një humbje 3-0. Ajo ishte edhe ndeshja e fundit e trajnerit holandez Arie Haan./tvklan.al

Gazetar: Erion Todhe