Bllokohen udhëtarët që hyjnë nga Greqia
Për 14 ditë pikat e kalimit kufitar me Kosovën do të qëndrojnë mbyllur. Pas konfirmimit për shtetasit e infektuar, Policia Kufitare njoftoi se prej orës 10:00 të mëngjesit të së shtunës do të lejohen të hyjnë në Kosovë vetëm shtetasit kosovarë që janë në Shqipëri dhe duan të kthehen si dhe do mund të hyjnë në Shqipëri, shqiptarët që janë në Kosovë dhe duan të kthehen në vendin tonë.
I vetmi përjashtim është bërë për ambulancat, lëvizjen e mallrave dhe makinave qeveritare.
Ky vendim i palës kosovare është marrë jo vetëm për kufirin me Shqipërinë por për të gjithë kufijtë e saj.
Si masë parandaluese në përhapjen e koronavirusit është mbyllur edhe kufiri me Greqinë. Hyrje-daljet e autobusëve janë pezulluar.
Ndërsa personat që hynë nga Greqia me mjete të vogla dhe këmbësorët u skeduan nga personeli mjekësor në doganë dhe iu kërkua të vetëizolohen për 14 ditë. Udhëtarët shprehin si problem bllokimin e tyre në doganë për shkak të ndalimit të qarkullimit të automjeteve.
Gjatë 24 orëve të fundit, sipas të dhënave të policisë kufitare kanë udhëtuar drejt Greqisë 497 qytetarë dhe kanë hyrë 705 persona.
Tv Klan