Panairi i librit shqiptar “Tetor 2000” ka mbyllur dyert pas 5 ditëve nga hapja e tij më 8 nëntor. Në këtë aktivitet të madh të kulturës shqiptare morën pjesë rreth 70 shtëpi botuese nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia. Ky panair u organizua nga shoqata e botuesve shqiptarë të Maqedonisë në bashkëpunim me lidhjen e botuesve shqiptarë dhe e mbështetur nga këshilli i Komunës së Tetovës dhe pallati i kulturës i këtij qyteti.
Interesimi i popullsisë shqiptare për librin shqiptar në këtë panair ishte shumë i madh. Vizitorët e shumtë kishin ardhur nga krahina të shumta të Maqedonisë, Kosovës dhe Shqipërisë Lindore. Ky aktivitet u quajt festa e madhe e kulturës shqiptare. Librat më të shitur ishin ato të Ismail Kadaresë, Lasgush Poradecit e të tjerë. Në vitrinë ishin rreth 7 mijë tituj librash të paraqitur në një sipërfaqe prej 1000 metrash katrorë.
Mendimi i hedhur nga botusit dhe pjesëmarrësit në këtë panair libri , ishte që takime të tilla për librin dhe kulturën mbarëshqiptare të zhvillohen të paktën një herë në gjashtë muaj./tvklan.al
Gazetare: Fjodora Fjora