Samiti i fuqive të mëdha për Libinë në Berlin ka dhënë rezultatet e para në arritjen e një armëpushimi mes rebelëve të komandantit Kalifa Haftar dhe qeverisë së njohur ndërkombëtarisht të Fajez Al Serrazhit.
Mediat italiane bëjnë të ditur se fuqitë e mëdha kanë rënë dakord të ndërpresin furnizimin me armë për palët në konflikt, por krerët e palëve në konflikt ende nuk e kanë nënshkruar këtë pikë të marrëveshjes.
Gjatë një takimi me presidentin rus Vladimir Putin, kreu i shtetit turk Rexhep Taip Erdoan i bëri thirrje gjeneralit Haftar të tërhiqet nga rrethimi i Tripolit, por edhe nga zonat e pushtuara në lindje dhe në jug të Libisë.
Në bisedimet që zhvillohet me nismën e Kombeve të Bashkuara merr pjesë edhe sekretari amerikan i shtetit Majk Pompeo, përfaqësuesi i lartë i BE për politikën e jashtme Josep Borrej, si dhe liderët dhe ministrat e jashtëm të Gjermanisë, Turqisë, Rusisë, Francës, Britanisë së Madhe, Italisë, Emirateve të Bashkuara dhe Egjiptit.
Përpjekja për arritjen e një armëpushimi mes palëve në Moskë dështoi javën e kaluar. Prej Prillit të vitit të kaluar, militantët e Kalifa Haftarit mbajnë të rrethuar Tripolin në përpjekje për ta pushtuar, ndërsa kanë nën kontroll zonat më të rëndësishme naftë-mbajtëse. Trupat e tij mbështeten nga Rusia dhe Egjipti.
Tv Klan