Gjigandi i teknologjisë Samsung më 22 Janar nëpërmjet një eventi madhështor prezanton telefonin më të ri, Samsung Galaxy S25 Ultra. Për herë të parë telefoni i ri do të vijë në katër formate, duke përfshirë dhe formatin “slim” i cili do të jetë shumë i hollë dhe praktik.
Eksperti i teknologjisë Elvis Bregu në studion e “Aldo Morning Show” në Tv Klan tregon risitë e pajisjes së re teknologjikë të Samsung. S25 Ultra sipas ekspertit do të jetë i ngjashëm me atë S24 Ultra. Në bateri do të ketë disa përmirësime të vogla, do të ketë rritje të fuqisë së karikimit.
Sa i përket kamerës ajo do të vazhdojë të jetë tradicionalja e Samsung-ut, me 200 megapixel. Ndryshimi që është bërë sa i përket kualitetit të kamerës i takon pjesës së afrimit apo të largimit të objektit që duan të fotografojmë apo të filmojmë, duke ruajtur një cilësi të pandryshuar.
Të gjithë sapo dëgjojmë videon që kemi regjistruar na bën përshtypje zhurmat e ambientit, por risia e Samsung S25 Ultra pretendon të ofrojë video me kualitet më të lartë të imazhin dhe cilësi më të mirë të audios, duke dhënë mundësinë e editimit të folësve të tjerë apo të zhurmave të padëshiruara.
Është rritur gjithashtu cilësia e sensorit i cili do të jetë 50 megapixel, që do të thotë se mund të tërheqë shumë më tepër dritë dhe informacion. S25 Ultra do të ketë versionin që Apple e ka praktikuar prej kohësh që ka të bëjë me ruajtjen në versionin origjinal të videos apo fotos pa ndikuar në përmirësimin e ngjyrave. Nuk kishte se si të mungonte as integrimi i Inteligjencës Artificiale, e cila do të jetë kryefjala e kësaj e pajisjeje të re.
Sa i përket madhësisë S25 Ultra do të jetë pak më i vogël se S 24 Ultra, ndërkohë që ekrani do të jetë më i madh pothuajse 6.8 inç./tvklan.al