Një kompleks gjigand industrial do të ngrihet në shkretëtirën e Atakama-s në Kili. Siç thuhet në mediat e huaja, ky megaprojekt u propozua nga një kompani amerikane e quajtur “AES Corporation’s AES” në Dhjetor 2024. Atakama, është e njohur për qiejt e saj tejet të errët dhe faktin që s’ka ndotje ajri. Është edhe ‘shtëpia’ e Observatorit të famshëm ESO’s Paranal, nga ku janë kapur fotot e para të një ekzoplaneti. Në këtë Observator, që është rreth 2634 m mbi nivelin e detit ndodhet teleskopi i famshëm VLT. Ky i fundit ka luajtur një rol kyç në zbulimin e vrimave të zeza në galaktinën tonë “Rruga e Qumështit”, aq sa fitoi një Çmim Nobel për Fizikë në vitin 2020.

Në po këtë Observator po ndërtohet aktualisht edhe një teleskop tjetër masiv. Suksesi më i madh në kërkimet shkencore vjen prej qiellit tejet të errët dhe të qartë në këtë pjesë të globit. Qielli mahnitës me yje të panumërta mund të shihet në thuajse 300 netë të vitit. Është pika më optimale për vështrimin e objekteve qiellore apo të kozmosit nga Toka.

Por tanimë ekziston frika se me ndërtimin e AES, që do të jetë rreth 12 km larg Observatorit të njohur, do të krijohet ndotje e ajrit. Kjo gjë do ndikojë direkt tek fuqia e teleskopit.

Drita artificiale e “sfumon” imazhin e yjeve gjatë natës. Prandaj edhe pajisjet më të sofistikuara astronomike kërkojnë kushtet e duhura për pamje më cilësore. Pritet që projekti industrial të zërë një sipërfaqe shumë të madhe, thuajse sa gjysma e sipërfaqes së Manhattan, me mijëra pajisje elektriciteti. Kili, e veçanërisht ky observator përbëjnë një vend special për astronominë e në fakt për njerëzimin. E tanimë, gjithë magjia e tij po vihet në rrezik.

Pak nga kjo magji, mund ta shijoni në videon e mëposhtme:

E.D/tvklan.al