Melania Trump i është bashkuar shumë ish-zonjave të para republikane që kanë dalë në mbështetje të të drejtave të abortit, duke i vënë ato në kundërshtim me pikëpamjet publike të bashkëshortëve të tyre.
Në një video të shkurtër që promovon librin e saj të ardhshëm, ajo shprehu mbështetjen e saj për lirinë individuale të grave, duke e përshkruar atë si një të drejtë thelbësore që të gjitha gratë e kanë që nga lindja.
“Nuk ka vend për kompromis kur bëhet fjalë për këtë të drejtë thelbësore që të gjitha gratë zotërojnë që nga lindja: lirinë individuale. Është e domosdoshme të garantohet që gratë të kenë autonomi në vendosjen e zgjedhjes së tyre për të pasur fëmijë, bazuar në bindjet e tyre, të lira nga çdo ndërhyrje apo presion nga qeveria.
Pse dikush tjetër përveç vetë gruas duhet të ketë fuqinë të përcaktojë se çfarë bën ajo me trupin e saj? E drejta themelore e një gruaje për lirinë individuale, për jetën e saj, i jep asaj autoritetin për të ndërprerë shtatzëninë nëse dëshiron. Të kufizosh të drejtën e një gruaje për të zgjedhur nëse do të ndërpresë një shtatzëni të padëshiruar është njësoj si t’i mohosh asaj kontrollin mbi trupin e saj”, thotë Melanie Trump.
Qëndrimi i dukshëm i saj për këtë çështje duket se është në kontrast me pozicionin e bashkëshortit të saj, i cili ka thënë se do të ndryshojë të drejtën kushtetuese për abort./tvklan.al