Duli: Diabeti dhe hipertensioni ndër shkaktarët kryesorë

Mjekët nefrologë shprehen se mesatarisht 1 në 7 persona kanë probleme me sëmundjet kronike të veshkave. Sipas mjekes Marsida Duli diabeti dhe hipertensioni renditen ndër shkaktarët kryesorë të dëmtimit të veshkave.

“Një ndër shtatë adultë janë të diagnostikuar me sëmundje kronike të veshkave dhe shkaktarët kryesor të rritjes në mënyrë progresive të sëmundjeve të veshkave është diabeti që zë vendin e parë. Vendin e dytë e zë hipertensioni, pra shifrat e larta të presionit arterial si dhe obeziteti.”

Megjithatë edhe trashëgimia e stili i jetesës janë faktorë negativë që ndikojnë tek sëmundjet kronike të veshkave.

“Patjetër ndikohet shumë edhe nga sëmundje të tjera bashkëshoqëruese, sëmundjet e vëshkës, kushtet ambientale, stili i jetesës, mënyra e jetesës, por patjetër edhe informimi, edukimi shëndetësor.”

Mjekja nefrologe tregon rastet kur një pacient duhet të shqetësohet se vuan nga kjo sëmundje.

“Shenjat kryesore të dëmtimit të veshkave janë shfaqja e shifrave pak më të larta se sa normalisht i vlerave të presionit arterial, lodhja, këputja, shfaqja pak e enjteve të gjymtyrëve apo të syve në mëngjes duke mos përjashtuar janë edhe ndryshimi i urinimit, sasisë, ngjyrës, përmbajtjes, aromës, dhimbjet në zonën e mesit e fundin e barkut.”

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë në të gjithë botën janë më shumë se 850 milionë persona që vuajnë nga sëmundjet e veshkave.

Klan News