“Na kanë dobësuar përmes konflikteve artificiale të brendshme”

Presidenti Ilir Meta ka folur nga Vlora pas ceremonisë së ngritjes së flamurit për Ditën e Pavarësisë. Një ditë reflektimi e konsideron kreu i shtetit 28 Nëntorin për t’u bashkuar në të ardhmen. Vetëm në këtë mënyrë sipas tij mund të triumfojmë ndaj armiqve që kanë dobësuar Shqipërinë përmes konflikteve artificiale.

“Mbrojtësi më i sigurt i lirësisë dhe pavarësisë është vetë sovraniteti i popullit në këtë vend. Është një ditë që na fton edhe për të reflektuar edhe për t’u bashkuar në të ardhmen pasi sa herë kemi qenë të bashkuar kemi triumfuar dhe armiqtë tanë gjithmonë janë përpjekur të na dobësojnë përmes nxitjes së përçarjes dhe shterimit të energjive më të mira të popullit tonë të talentuar përmes konflikteve artificiale të brendshme”, tha Meta.

Por a e bashkoi kjo ditë politikën shqiptare? Për Metën e rëndësishme është bashkimi i popullit shqiptar dhe për këtë thotë se do të ndodhë edhe më 25 Prill. Ditën e zgjedhjeve, Presidenti shton se do të vendoset për ta bërë Shqipërinë si Europa, një aspiratë që për Metën daton që nga ngritja e flamurit në Krujë nga Skënderbeu.

“Kjo ditë bashkon popullin shqiptar. Ashtu sikurse jam i sigurt edhe 25 Prilli do t’i bashkojë të gjithë shqiptarët për të thënë fjalën e tyre për Europën. Edhe akti i Skënderbeut pra 28 Nëntorit të parë të pavarësisë ishte akti i përcaktimit të pakthyeshëm të kursit të kombit tonë drejt Europës. Këtë gjë bëri dhe Ismail Qemali me të gjithë udhëheqësit e tjerë. Ne tani nuk kemi më kohë se vajtën 108 vite për ta përmbushur këtë aspiratë”.

Presidenti u pyet nga gazetarët edhe për komisionin e ngritur mbi raportin e Dick Marty-t. Absurde thotë ai se është ai komision dhe ky akt i shërben vetëm armiqve të Shqipërisë.

“Mendoj se nuk kemi kohë të humbasim me akte të cilat u shërbejnë armiqve të Shqipërisë dhe nuk i shërbejnë as Shqipërisë, as shtetit të Kosovës, as unitetit mbarëkombëtar. Janë gjëra të cilat janë fare absurde. Është e qartë që është një akt edhe më shumë se vetë absurdi”, tha Meta./tvklan.al