Ilir Meta ka bërë një reagim në Facebook pas seancës së sotme në SPAK. Sipas Metës, ai u pyet nga hetuesit nën cilësinë e Presidentit të Partisë së Lirisë, duke shtuar se kjo forcë opozitare ka qenë denoncuesja kryesore e aferës së Inceneratorëve. Ai thekson se ka paraqitur 3 fakte zyrtare e penale ndaj kryeministrit Edi Rama dhe Ëngjëll Agaçit.
“Në seancë e sotme të pyetjeve reciproke në SPAK, në cilësinë e Presidentit të Partisë së Lirisë, forcës së dytë opozitare në vend, që ka qenë denoncuesja kryesore e megaaferës së inceneratorëve, që ka përgjegjës kryesorë Edi Ramën dhe Ëngjëll Agaçin, paraqita sot tre fakte zyrtare dhe penale që i ngarkon ata me përgjegjësi”, shkruan Meta.
Më tej, krahas disa dokumenteve ai shton se kreu i qeverisë ka lëshuar firma në kundërshtim me ligjin.
“Edi Rama, në kundërshtim me çdo ligj në fuqi, më datë 7.12.2016, firmosi dhënien e bonusit prej 8% të pikëve kompanisë Integrated Energy BV sh.p.k për procedurën e konkurrimit, për ndërtimin e inceneratorit të Tiranës, por që në fakt kjo kompani NUK EKZISTONTE në momentin që Kryeministri firmosi bonusin që e favorizonte ne procedurën konkurruese. Edi Rama ka firmosur në kundërshtim me ligjin “Për koncensionet dhe Partneritetin Publik/Privat”, për negocimin pa shpallje të kontratës koncensionare për ndërtimin e inceneratorit të Elbasanit edhe pasi Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave, Engjell Agaçi, u njoftua zyrtarisht nga Drejtori i Agjencisë së Prokurimeve Publike, z. Eduard Ahmeti, se procedura e përzgjedhur për dhënien e këtij koncensioni negocim pa shpallje është e paligjshme. Firmën e paligjshme të Erion Veliaj për miratimin e koncensionit 30-vjeçar të inceneratorit fantazmë të Tiranës, në shmangie të vendimarrjes së Këshillit Bashkiak të Tiranës dhe në shkelje të ligjit. Meqë kjo çështje ka interes të lartë publik, pyetja ime ishte se çfarë bëhet me hetimet ndërkohë që dhjetëra milion euro vazhdojnë të vidhen dhe të financojnë kallëzues të rremë, media dhe analistë “spakistë” që përmbytin banaqet televizive Që të mos lodhet më shumë SPAK dhe analistët “spakistë” ja ku i kanë dokumentat me firmë dhe me vulë”, thotë Meta në reagimin e tij nga qelia.
Kujtojmë se këtë të Martë ai u pyet si person nën hetim, për herë të parë që nga arrestimi i tij më 21 Tetor 2024. Dha sqarime lidhur me çështjen e lobimit të Lëvizjes Socialiste për Integrim në SHBA, për të cilën dyshohet nga SPAK se është përfshirë në mosdeklarim të pasurisë dhe pastrim parash.
/tvklan.al