Në autostradën Tiranë-Durrës punimet e mirëmbajtjes vijojnë me ritme të larta dhe sipas supervizorëve pritet që të përfundojnë brenda afateve të përcaktuara në qershor të këtij viti. Falë një investimi të buxhetit të shtetit me vlerë rreth 500 milion lekësh prej rreth 1 muaji tashmë dy kompani kanë marrë përsipër riparimin e asfaltit të dëmtuar në të gjithë gjatësinë rreth 32km nga dalja e kryeqytetit në hyrje të Durrësit.
Fjorald Zguro: “Këtu gjendemi në km e 16 të superstradës Tiranë-Durrës, siç shihet për shkak të punimeve të mirëmbajtjes kjo pjesë e autostradës është bllokuar për automjetet dhe trafiku është kanalizuar në pjesën tjetër të saj.”
Mbikëqyrësit e punimeve thanë për televizionin Klan se aktualisht është duke u punuar në 4 segmente për një total prej gati 13km. Në këtë pjesë trafiku dhe qarkullimi i automjeteve po bëhet në një korsi, i alternuar.
“Problemi kryesor është trafiku, marrim masat me policinë, bëjnë postimin e trafikut në një zonë 3km, … dhe kështu me radhë avancojmë punimet. Deri më sot nuk kemi pasur probleme, incidente dhe të tjera problematika, punimet po shkojnë mirë.”
Projekti i mirëmbajtjes parashikon në fazën e parë korrigjimin e dëmtimeve të shtresave asfaltime, proces i cili pritet të përfundojë në fillim të prillit.
“Në këto momente po bëhet puna më e vështirë pasi po bëhet një rikondicon i gjithë zonës në përputhje me projektin dhe po bëhet një përpilim me … drejt sipërfaqeve më të dëmtuara. Pas përfundimit të këtij procesi punimi do të fillojë shtresa e tapetit që është e përcaktuar përgjatë gjithë sipërfaqes dhe ritmi i punimeve do të jetë më i mirë, por duke pritur edhe përmirësimin e kohës.”
Përfundimi i punimeve do e rikthej këtë aks rrugor në parametrat optimale duke shtuar edhe shpejtësinë e shkëmbimit të trafikut midis 2 qyteteve./tvklan.al
Gazetar: Fjorald Zguro