Lajme Arkiva – TV Klan 2004
Edhe këtë vit, me mijëra turistë, kryesisht nga Kosova kanë preferuar të kalojnë pushimet në vendin tonë. Vetëm gjatë 6 mujorit të parë të këtij viti në Shqipëri kanë hyrë rreth 128 mijë turistë, duke shënuar kështu një rritje prej 10% krahasuar me numrin e turistëve që zgjodhën vitin e kaluar bregdetin shqiptar për të pushuar.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Turizmit, këtë vit përveç pushuesve nga Kosova është vënë re se ka pasur një numër të konsiderueshëm dhe të turistëve të huaj, si nga Gjermania, Austria, Anglia, apo Lindja e Mesme, që kanë vizituar Shqipërinë gjatë këtyre muajve të fundit.
Bashkim Fino: “Hyrjet në Shqipëri nga këta turistë kanë qenë ditore nga pikat e kalimit kufitar si Sarandë, Hani i Hotit, Murriqan, Kakavijë etj. Ka pasur hyrje masive të të huajve nga aeroporti masiv i Rinas, nga porti i Durrësit, nga porti i Sarandës. Kjo për atë kategori turistësh që kanë qëndrim më të gjatë në Shqipëri. Për ta demonstruar këtë mjafton të themi që numri i pushuesve të huaj deri në 15 Korrik arrin në rreth 30 mijë turistë të huaj”.
Sipas ministrit Fino, situata në plazhin e Durrësit, i cili mbete edhe indikatori kryesor i rritjes së fluksit të pushuesve kosovarë është shumë herë më e mirë se në vitin e kaluar dhe kjo falë investimeve të mëdha të realizuara nga Ministria e Turizmit dhe Rregullimit të Territorit në bashkinë e Durrësit, por edhe në bashkitë e Sarandës, Vlorës dhe Pogradecit.
Megjithatë nuk ka qenë vetëm plazhi i Durrësit ai që ka pritur pushuesit kosovarë këtë vit.
Bashkim Fino: “Nga informacionet që kemi është shtuar fluksi i pushuesve kosovarë në plazhin e Velipojës, gjë që na bënë ne si qeveri të mendojmë të përmirësojmë më shumë elementë të turizmit me në të ardhmen në këtë zonë. Me fondet shtesë parashikojmë të bëjmë përsëri ndërhyrje në zonat turistike dhe shuma që kap kjo shtesë buxheti është 200 milion dollarë”.
Ndërkohë sipas ministrit Fino investimi më i madh dhe afatgjatë në turizmin shqiptar do të ishte një vizion i qartë zhvillimi, mbulimi me studime i të gjitha zonave turistike dhe në funksion të kësaj sipas tij është bërë dhe konkursi për bregdetin e jugut, i miratuar nga KRRTRSH./tvklan.al
Gazetare: Elja Zotka