Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj ka deklaruar se heqja e karantinës dhe masave të tjera kufizuese, janë shfrytëzuar nga grupet kriminale, dhe sipas tij, kjo është arsyeja që javët e fundit ka patur disa ngjarje të rënda kriminale, si vrasje e atentate.
Në një mbledhje me drejtuesit qëndrorë dhe vendorë të policisë, Lleshaj theksoi se Operacioni Forca e Ligjit por dhe struktura të tjera policore duhet të kufizojnë sa më shumë lëvizjet e personave të skeduar.
“Ky vit ka treguesit më të mirë deri tani. Por mos harrojmë që hapja do të shtojë edhe mundësitë e grupeve kriminale për të goditur, për të bërë atë punë për të cilën ato ekzistojnë. Raste e ditëve të fundit tregojnë që krimi do të shfrytëzojë çdo hapësirë të mundshme për të goditur. Kërkesa është që të shtohen përpjekjet për të ngushtuar hapësirat e veprimit të lirë të krimit. Këta persona që i kanë ende llogaritë e pambyllura me ligjin, duhet ta ndjejnë presionin e ligjit përmes kufizimeve që ligji ka parashikuar. Kufizimet jashtë ddhe kufizimet brenda vendit. Të dyja këto kufizime duhet të përdoren me efikasitet”.
Me kalimin e situatës së pandemisë, ministri i Brendshëm kërkoi nga OFL që të shtojë ritmin e goditjes së financave të krimit të organizuar.
“Ka patur një periudhë të ndryshimit të ritmit të operacionit për shkak të pandemisë e cila tashmë ka përfunduar dhe kërkohet nga gjithë strukturat të vzhdojnë me ritëm të shtuar përpjekjen për goditjen e krimit të organizuar në pjesën e financave. Të parëve u vjen radha atyre që kanë llogari më të mëdha për të shlyer me ligjin. Besoj që kombinimi i përpjekjeve përmes OFL dhe planeve të tjera operacionale do të bëjnë që treguesit të vijojnë të përmirësohen”. /tvklan.al