Minisria greke e Drejtësië ka reaguar pas dhunës së ushtruar në qelitë e paraburgimit ndaj shqiptarit Aleksandër Luca. 20-vjeçari shqiptar, i akuzuar si një nga autorët e dyshuar të vrasjes së studentes Eleni Tofaloudi në ishullin Rodos, u dhunua nga të burgosurit e tjerë në qelitë e paraburgimit të Avlonës.

Ministria e Drejtësisë e konsideron të papranueshme dhunën e ushtruar ndaj tij, ndërsa ka nisur hetimet se si ka mundësi që të burgosurit e tjerë u futën në qelinë e Aleksandër Lucës.

“I paraburgosuri A.L. 20 vjeç ishte vendosur në një dhomë të veçantë pas urdhrave të qarta të Ministrisë për mbrojtjen dhe sigurinë e tij. Megjithatë, dje pasdite u sulmua në qelinë e tij nga të burgosurit e tjerë dhe u dërgua në qendrën shëndetësore Kapandritiou dhe më pas në spitalin Evangelismos për kontroll. Ai u trajtua dhe nuk ishte e nevojshme shtrimi në spital, dhe u kthye në burg. Ka nisur një hetim disiplinor për incidentin dhe hetim penal për të burgosurit”

, thuhet në deklaratën e Ministrisë greke të Drejtësisë.

Edhe avokati i familjes së vajzës, Alexis Kougias, ka dënuar këtë ngjarje të rëndë. Duke folur për shtypin grek, ai ka thënë se sjellje të tilla nuk duhet të ndodhin, edhe pse Aleksandër Luca është një nga dy të dyshuarit për krimin e rëndë.

“Fajin dhe dënimin për të burgosurit e përcaktojnë vetëm gjyqtarët, dhe kjo ngjarje është e papranueshme për një vend demokratik si Greqia”,

u shpreh avokati i familjes së viktimës.

Nga hetimet e deritanishme janë evidentuar 7 të burgosur që ushtruan dhunë ndaj Aleksandër Lucës. Njëri prej tyre, duke folur për një emision në Greqi, ka thënë se të gjithë kishin thika, ndërsa derën e qelisë së 20-vjeçarit e gjetën hapur. Gardiani, tha ai, nuk mund të bënte asgjë kundër 7 të burgosurve me thika.

Aleksandër Luca, pas trajtimit që mori në spital, u dërgua në një tjetër burg për të garantuar sigurinë e tij. Ai nuk ka pësuar lëndime të rënda nga dhuna e ushtruar ndaj tij.

20-vjeçari u dhunua një ditë më parë nga të burgosurit e tjerë, të cilët e pyesnin përse kreu krimin. Ai u tha se studenten e vrau shoku i tij grek, Manolis Koukouras 21 vjeç. Dy të rinjtë, shokë me njëri-tjetrin, akuzohen se kanë abuzuar, dhunuar dhe vrarë studenten 21-vjeçare Eleni Tofaloudi.

Kjo e fundit, pasi u qëllua barbarisht me hekur në kokë, u hodh më pas në det me këmbë të lidhura. Ngjarja ka ndodhur më 27 Nëntor në ishullin Rodos të Greqisë. Trupi i studentes u gjet të nesërmen nëpër shëmbinj. Aleksandër Luca dhe Manolis Koukouras kanë pranuar përfshirjen në krim, por akuzojnë njëri-tjetrin për dhunimin dhe vendimin për të hedhur në det 21-vjeçaren.

/tvklan.al