Në Shkodër mijëra qytetarëve të mbledhur në shesh kryeministri Sali Berisha, u kërkoi të vazhdojnë me qeverinë demokratike projektin për Shqipërinë europiane. Berisha kishte në krah kandidatët për deputet për këtë rajon ku lista kryesohet nga kryeparlamentarja Jozefina Topalli. Fjalimin kryeministri e hapi duke kujtuar kontributin e paçmuar të Shkodrës në demokratizimin e vendit.

Sali Berisha: “Shkodra në Shqipëri, në Ballkan, në Europë është vigani i demokracisë, është simboli i qëndresës njerëzore për nderë, për dinjitet, për familje, për atdhe. Kam ardhur këtu me qindra herë, por ky është takimi më madhështorë që ne zhvillojmë në këtë shesh, në shesh të këtij qyteti. Ku ju nuk keni dal për Sali Berishën, se ai është miku juaj, keni dal për europën, për Shkodrën europiane, për Shqipërinë Europiane, për vokacionin tuaj, për besimi tuaj. Në 28 qershor shkodranë, shqiptarë do rikthejmë lavdinë elektorale të 22 marsit”.

Premtimi i qeverisë demokratike për Shkodrën sikundër për gjithë Shqipërinë, janë rrugët e reja. Mandati 2009-2013 parashikon një agjende ambicioze. Por kryeministri do fliste për projekteve që nisin brenda muajit qershor të këtij viti.

Sali Berisha: “10 herë më shumë do të investojmë në Shkodër, 10 herë më shumë do të investojmë në mbarë Shqipërinë. Me datën 18 inaugurojmë rrugën Shkodër-Han i Hotit, së shpejti do të inaugurojmë tjetrën Velipojë-Ulqin, së shpejti do të inaugurojmë tjetrën Koman-Fierzë, së shpejti bypass-in e Shkodrës dhe unazën e liqenit tuaj madhështorë, do ta bëjmë një unazë më të bukurën”.

Programi i demokrateve parashikon gjithashtu 160 mijë të punësuar brenda mandatin të dytë qeverisës. Vetëm në Shkodër dy projekte të mëdha, parqe këto industrial, do të bëjnë të zbatueshëm këtë objektiv.

Sali Berisha: “Kryefjala e Shkodrës europiane, e Shqipërisë europiane është dhe do mbetet punësimi juaj. Jam sot për t’u zotuar se në dy parqet e mëdha industriale të Shkodrës dhe Koplikut, se në dhjetëra e në dhjetëra vepra të tjera industriale në hidrocentrale të shumta të këtij qarku, në rrugë dhe autostrada, në biznese. Në Shkodër dhe në Shqipëri do të punësohen 160 mijë qytetarë shqiptarë”.

Në Shkodër thirrja e kryeministrit për pajisje të qytetareve me letërnjoftime do të shkonte në adresë të të gjithë zgjedhësve pa dallime partiake.  Kryetari i qeverise i shtoi këtu thirrjen për të votuar në 28 qershor projektin europian për vendin.

Sali Berisha: “U drejtoj një thirrje vëllazërore të gjithë zgjedhësve shqiptar të të gjitha bindjeve, socialistëve e të tjerë bashkohi me ne, bashkoi me ne, se Europa, projekti ynë europian ka vend për të gjithë”.

Vetëm pak ditë më parë në Shkodër në takim elektoral ishte kreu i PS-së Edi Rama. Një fakt që kryeministri do ta theksonte për ti adresuar serish thirrjen për kandidim për deputet. Në deklarimin e tij Berisha do të përmendte votën kundër të socialisteve ndaj ligjit për dënimin e krimeve të komunizmit, si një votë kundër Shkodrës qytetaret e së cilës kanë vuajtur më shumë gjatë regjimit komunist…./tvklan.al

Gazetare: Menada Zaimi