Presidenti i Republikës Alfred Moisiu përuroi Bankën Popullore në qytetin e Kavajës. Me një kapital prej 10 mln dollarësh kjo bankë është më e reja në tregun bankar shqiptar.

Inaugurimi i Gjykatës së qytetit ishte një tjetër eveniment ku mori pjesë kreu i shtetit. Me një fond prej 77 mln lekësh është bërë i mundur instalimi kompjuterik dhe telefonik i paarritur deri tani.

Presidenti ishte i pranishëm edhe në ceremoninë e hapjes së punimeve të unazës së Kavajës. Ky aks rrugor, i cili për vite me radhë ka bllokuar biznesin vendas, po realizohet me fonde të buxhetit të shtetit që kapin shifrën e 300 mln lekëve të rinj. Lidhur me këto investime kryetari i Bashkisë së qytetit tha:

“Kërkuam me forcë që kjo unazë të mos kishte parametrat e 7 m gjerësi, por insistimi ynë shkoi që unaza të jetë në 10.5 m gjerësi plus edhe trotuaret, por sidoqoftë sivjet janë dhënë vetëm 40 mln lek të rinj. Ne presim mirëkuptimin e qeverisë që për vitin 2005, dihet që është një vit elektoral, nuk e dimë sa e disponueshme do të jetë qeveria që të angazhohet për rakordimin e fondeve karshi Bashkisë së Kavajës për këtë projekt shumë i domosdoshëm për gjithë komunitetin e Kavajës.”/tvklan.al