Nuk ndryshon qëndrimin për faktorin institucional dhe qeverisjen
Agjencia ndërkombëtare e vlerësimit ekonomik Moody’s ka konfirmuar të njëjtin qëndrim për ekonominë shqiptare në nivelin Ba3 pavarësisht goditjeve nga pandemia dhe tërmeti.
Moody’s konfirmon këtë renditje pas emetimit të suksesshëm të eurobondit, ndërsa thekson nevojën e diversifikimit të ekonomisë.
“Profili i kreditit të Shqipërisë është i kufizuar nga fuqia e ekonomisë, e cila është një ekonomi e vogël, e ekspozuar ndaj riskut dhe me një shkallë të ulët diversifikimi krahasuar me vendet e tjera dhe një numër të konsiderueshëm sfidash strukturore”, theksohet në raport.
Të njëjtin vlerësim agjencia ka mbajtur edhe për faktorin institucional në Ba2, si të moderuar.
“Nënvizojmë hapat që po ndjek qeveria për integrimin në Bashkimin Evropian për të adresuar dobësitë e vazhdueshme për sundimin e ligjit dhe uljen e korrupsionit”, vijon raporti.
Në riskun fiskal agjencia ndërkombëtare evidenton një nivel të lartë të borxhit publik dhe detyrimet e shumta me të cilat përballet sektori i energjisë të cilat mund të rëndojnë në të ardhmen financat publike. Agjencia sheh si një faktor që mund të dobësojë cilësinë e aseteve të sektorit bankar, nivelin e lartë të euroizimit.
Tv Klan