Ernest Muçi kontribuoi në fitoren që skuadra e tij Beshiktash arriti ndaj Ankaraguçu me rezultatin 2-0 në Superligën turke.
Sulmuesi i kombëtares shqiptare zhbllokoi rezultatin në minutën e 17’ të lojës. Për mesfushorin me tipare sulmuese ky është goli i tretë në Superligën turke. Lojtari kuqezi i gëzohet tri pikëve të marra pas takimit.
“Jemi një skuadër e mirë, kemi cilësi! Kemi patur probleme me pësimin shpejt të golit, por në këtë takim nuk ndodhi diçka e tillë. Fituam tri pikë të rëndësishme, e do të vazhdojmë kështu. Do ta lëmë pas të kaluarën dhe do të fokusohemi që të bëjmë më të mirën si skuadër.”
Në kampionatin turk, lojtari kuqezi është aktivizuar në nëntë takime, e ka luajtur në total 773 minuta.
Skuadra e Beshiktashit rigjeti fitoren në kampionat pas 5 takimesh, që sollën shkarkimin e trajnerit Fernando Santos. Deri në përfundim të kampiantit turk, janë edhe 5 javë.
Ekipi i Muçit pozicionohet në vend të katërt në renditje, vendi i fundit që jep të drejtën për të marrë pjesë në kompeticionet europiane.
Klan News