Real Madridi ngeci në ndeshjen e parë të La Liga-s kundër Majorkës së Vedat Muriqit.
Pikërisht sulmuesi dardan i prishi festën kampionëve në fuqi, të cilët u larguan nga “Son Moiks” me vetëm 1 pikë.
“Los Blankos” kaluan në avantazh pas 13 minutash falë Rodrigos. Por në vazhdim, vendasit u mbrojtën mirë dhe treguan rritje.
Në minutën e 53, Muriqi befasoi ekipin e Ançelotit, duke shënuar golin e barazimit. 30-vjeçari ishte kërcënim i vazhdueshëm deri në përfundim të sfidës. Ai tregoi kënaqësinë për rrjetën e realizuar.
Vedat Muriqi, sulmuesi i Mallorca: E vërtetë, në dhjetë minutat e fundit ne patëm dy tri raste mjaft të mira për të shënuar. por kështu është futbolli. Duhet të kënaqemi me një pike që e fituam kundër një prej ekipeve më të mira të botës. Kjo na jep besim më shumë, dhe tani të përqendrohemi te sfida e radhës. Që nga ardhja, trajneri na ka kërkuar që të jemi guximtarë në fushë. Ne do të vazhdojmë të ndjekim kërkesat e tij. Ky gol ka rëndësi të madhe për mua. Vitin e kaluar e nisa me dy penallti të humbura. Tani do të synoj që të vazhdoj kështu!
Në takimin tjetër, Vajekano mposhti në transfertë Sociedad me rezultatin 2-1. Mbrojtësi kuqezi Ivan Balliu luajti në 10 minutat e fundit në suksesin e Vajekanos.
Klan News