Momentet e vështira, largimet dhe rikthimet
Në një rrëfim të pazakontë, ish- kryeministri Fatos Nano, një prej protagonistëve më të rëndësishëm të politikës shqiptare ka folur për ndryshimet 30 vjeçare në vend, si arriti të marrë drejtimin e Partisë Socialiste pas rënies së sistemit, vendimet e rëndësishme që iu desh të merrte në qeverisje dhe opozitë, si dhe ftesën e bërë ndaj Edi Ramës.
Nuk ndjehet aspak i penduar për mundësinë që i dha vite më parë kur e ftoi në kabinetin e tij qeveritar si Ministër Kulture, madje vlerëson kontributin e tij tashmë si Kryeministër.
“Nuk jam penduar se Rama ka dhënë kontribut të vlefshëm në politike. Nuk mund të gjykojmë vetëm si ministër kulture, apo si kryetar bashkie.
Rama është mataruar në zyrën e kryeministrit sepse kjo detyre është e tillë që kur e bën me seriozitet të motivon të ndjesh deri në pore vendimmarrjen.”
Krejt të kundërtën mendon për Sali Berishën ish-rivalin e tij në politikë, me të cilin bëri jo pak betejë të ashpër por edhe marrëveshje politike.
“Sali Berisha hyri në politikë si intelektual. Në momentin që mori drejtimin e PD, ai u bë politikan. Ai ka mbikëqyrur që nga idea e parë që hodhi vetë deri në realizim, deri në atëherë kur ra shteti në ’97, burgosjen dhe mbajtjen time në burg. Ai u kthye në kafshë politike. Jam i detyruar të them që në 21 Janar 2011, Sali Berisha pushoi së qeni politikan”.
Thotë se sot nuk ka asnjë kontakt me Ilir Metën ndërsa nuk i kursen kritikat për të.
“Më lerë ta mbyll kapitullin e Ilir Metës, duke të thënë që nuk ka politikan tek i cili unë shoh pjesën më të madhe të mëkateve, të 7 mëkateve kapitale, është Presidenti i sotëm. E them se e shoh përditë, u jep prova të gjithëve përditë.”
Në rrëfimin e tij, Nano foli për dorëheqjet dhe rikthimet si dhe momentet e vështira. Gabimin më të madh në politike njeh atë që të tjerët ia njohin si vlerat.
Tv Klan