Trajneri i njohur nga Skrapari, Albert Spahiu, është ndarë nga jeta në moshën 62-vjeçare. Spahiu kishte një kontribut të madh në futbollin e qytetit të Skraparit, aty ku luajti si futbollist për 14 sezone.
Gjithashtu ai ishte edhe trajner i skuadrës së qytetit të tij, për më shumë se dy dekada.
Për këtë, ka reaguar edhe presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, i cili në profilin e tij shkruan se është trishtuar shumë nga lajmi i marrë. Sipas tij, Spahiu ishte një njeri me vlera të mëdha për komunitetin e Skraparit e që ka dhënë kontribute ndër vite veçanërisht për futbollin në këtë qytet.
“Lajmi për ndarjen nga jeta e trajnerit të Skraparit, Albert Spahiu, më ka trishtuar shumë. Spahiu drejtonte prej më shumë se dy dekadash skuadrën e Skraparit, me të cilin ishte shumë i lidhur pasi aty ka kaluar pjesën më të madhe të karrierës si futbollist nga viti 1978 e deri në vitin 1992, duke qenë edhe kapiten për 6 sezone.
Një njeri me vlera të mëdha për komunitetin e Skraparit e që ka dhënë kontribute ndër vite veçanërisht për futbollin në këtë qytet.
Dua t’i përcjell ngushëllimet e mia më të sinqerta, edhe në emër të FSHF-së, familjes Spahiu, të afërmve dhe miqve të tij. Kujtimi i tij do të mbetet i paharruar!”, shkruan Duka.
Albert Spahiu, u nda nga jeta mëngjesin e kësaj të diele në moshën 62-vjeçare. /tvklan.al