Përmes një deklarate për shtyp, deputetja e Partisë së Lirisë e njëkohësisht ish-bashkëshortja e Ilir Metës ka folur mbi dosjen hetimore të SPAK. Që në krye të herës theksoi se ka qenë tejet korrekte në raport me këtë institucion drejtësie, sa herë që është thirrur. Madje duke dorëzuar edhe ekspertizën financiare të familjes së saj që prej vitit 1995.
“Nuk mund të them që isha shumë e qetë mendërisht e shpirtërisht për ta lexuar dosjen me detaje, por duke e parë me atë përqindje të asimilimit për të kuptuar se ç’po ndodh. Të gjitha thirrjet e mia në SPAK kanë pasur të bëjnë me kallëzimin penal të Veliajt dhe jashtëqitjeve të tij që për mua s’kanë asnjë vlerë, por për të respektuar një institucion kam qenë korrekte. Përveç korrektësisë si qytetare, i kam dërguar prokurorit të çështjes mbi 5 mijë faqe dokumentacione të bashkangjitura me një ekspertizë financiare të familjes time që prej vitit 1995. Mamaja ime ka pasur rreth 3 mijë faqe, ndërsa unë rreth 5 mijë faqe. Kur lexoja materialin pashë që nuk ishin përfshirë këto dokumente ligjore, por nuk më shqetëson shumë sepse që kur ka nisur ka qenë proces politik.”
Me zërin që i dridhej, Kryemadhi tha se indinjata më e madhe e saj erdhi pasi lexoi faturat e operacioneve në atë dosje. Ajo u shpreh se nuk ka kryer kurrë operacione plastike. Renditi disa ndërhyrje kirurgjikale që ka kryer ajo, një nga fëmijët dhe Meta për arsye serioze shëndetësore.
“Indinjata ime dje erdhi pas deklaratës së SPAK, ku për hir të së vërtetës kam menduar që qoftë edhe për shkak të gjithë këtij ambjenti edhe mosbesues, ata do ishin shumë korrektë për çështjen. Sot jam këtu për të folur si Monika Krymadhi dhe jo si ish-bashkëshortja e Ilir Metës.
Deklarata e djeshme e SPAK që fliste për pastrim parash, ka cenuar nenin 279 të Kodit të Procedurës Penale për sekretin hetimor, kam menduar që artikujt që dilnin për inceneratorët kanë qenë rrjedhje informacioni padashje. Ndihem shumë e fyer, 106 mijë euro operacione! Në moshën 6 vjeç fëmja im është operuar dhe mjekët i kanë dhënë një javë jetë nëse nuk bën atë ndërhyrje, ka bërë dhe dy operacione, një në 2013-ën dhe një në 2015-ën. Një deri para gjysmë viti që është hapur nga maja e fytit deri në fund të barkut. Ka bërë dhe Meta një operacion në 2013-ën, ai s’ka paguar asnjëherë asnjë shishe ujë. Është personazh që edhe sot po ta pyesësh sa kushton. Kam paguar çdo gjë, dritat, ujin, kam marrë dhe rrogën e tij në bankë. Ilir Meta është marrë vetëm me politikë të madhe. Më kanë vënë faturën e qafës së mitrës që kisha unë me kancer…Nuk kam bërë asnjë operacion plastik, kam bërë një mbajtje të vetes time si të gjitha gratë dhe burrat shqiptarë sot…”
Kryemadhi shtroi dhe një pyetje duke përmendur kryeministrin Edi Rama dhe anëtarë të familjes së këtij të fundit.
“A e ka deklaruar Edi Rama operacionin e fëmijës së vet kur e ka pasur me kancer?! A e ka hetuar SPAK këtë gjë? A do bëjë deklaratë Dumani, Kllapi apo Kraja për hetimin e shërimit të fëmijës së Edi Ramës?!
/tvklan.al