Në albumin e fotografive të martesës së Armand Pezës gjendet momenti kur vjehrri i dorëzon Marçelën në altar, hedhja e buqetës, zhartierit të nuses… një dasmë moderne për kohën, me pak Hollywood brenda dhe një histori të padëgjuar.
Armand Peza dhe Marçela Lati kanë organizuar dasma e evente fantastike, gjithnjë të kuruara, por tek e tyrja ndodhën të papriturat. Sipërmarrësi tregon në “Rudina” në Tv Klan se për shkak të një kërkese të veçantë nga miqtë e tij, punoi edhe në ditën e dasmës.
Armand Peza: Ka një histori të bukur dasma jonë që duhet ta them. Isha betuar që nga fillimi i sezonit që nuk do të merrja dasmë tjetër për ditën e dasmës time se s’kishte kuptim.
Rudina Magjistari: Mos më thuaj që…
Armand Peza: Po, punova.
Rudina Magjistari: S’e besoj dot!
Armand Peza: Punova.
Rudina Magjistari: Seriozisht e ke?
Armand Peza: Më erdhën miq të ngushtë që m’i binin telefonit, miq okej, edhe të rëndësishëm, edhe të ngushtë, edhe me njëfarë autoriteti dhe më thonë “Mand, unë e di që ti martohesh por mua më duhet se martoj nipin, djalin e vëllait të vetëm”, po si t’ia bëj, por nuk bëhet. Okej, gjeta një arsye, vetëm po ta përgatita një ditë përpara se unë nuk bëhem për atë ditë, “e kuptoj, por të lutem, do të na e bësh” dhe me lutje më morën edhe dy evente të tjera. E bukura ishte që kisha blerë ca vazo për vete, ca pjata të rralla e ku di unë…
Rudina Magjistari: Si e ndiqje punën?
Armand Peza: Ndodhi, iku tani! Mos m’u bëj edhe ti si Marçela!
Bruno Pollogati: Mos më thuaj ato vazot e tua ia dhe tjetrit!
Armand Peza: Prit se nuk mbaron këtu. Thotë Marçela, “shiko nuk kemi folur akoma për dekorin”, po çfarë ke moj zemër, do ta bëjmë si e do ti se ishte një çikë nervoze. Thotë “atëherë ato vazot e larta që më solle nga Barcelona”…
Rudina Magjistari: Nuk janë.
Armand Peza: Po mirë, “këtë…”, do të gjejmë një zgjidhje tjetër. “Këtë e kemi, po atë e kemi, tani për ngjyrat, çfarë ngjyre kemi ne?” Po çfarë ngjyre do ti? “Unë nuk dua vetëm të kuqe”. Vetëm të kuqe kemi dhe kështu e bëmë dasmën me të kuqe edhe pse unë nuk e doja me të kuqe./tvklan.al