Përdoruesit e patinave elektrike apo biçikletave jo konform rregullave të qarkullimit ishin në fokus të policisë rrugore të kryeqytetit gjatë kësaj jave.
Krahas shkeljeve të tjera të automjeteve, për këtë kategori, janë konstatuar përdorues të patinave elektrike apo biçikletave që qarkullojnë jo në korsinë e dedikuar, por në karrexhatën e mjeteve. Ata janë ndëshkuar me nga 1 mijë Lekë, por nuk janë të vetmit të gjobitur nga Policia Rrugore.
Gjatë javës janë ndëshkuar mbi 10 mijë shoferë, apo mesatarisht 1,557 në ditë. Shkelja më e madhe është parkimi i gabuar me 8 mijë raste, për të vijuar më tej me ndëshkime për shpejtësi të lartë, përdorim celulari gjatë drejtimit të mjetit apo dhe mos përdorim të kaskës mbrojtëse.
Në 7 ditë, Policia Rrugore ka arrestuar dhe proceduar penalisht 24 persona, për drejtim mjeti nën ndikimin e alkoolit, pa patentë, apo dhe largim nga vendi i ngjarjes. Gjithashtu u pezulluan 56 patenta për shkelje të ndryshme dhe u bllokuan 12 automjete, 8 prej tyre për prova materiale.
Klan News