Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla, ka zhvilluar një takim me drejtuesit e Shoqatës Italiane të Kontabilistëve Shqiptarë të Miratuar (ADCAI). Zyra për shtyp e ministrit bëri me dije se në këtë takim janë diskutuar kërkesat dhe propozimet e shoqatës në funksion të bashkëpunimit strategjik me institucionet shqiptare.
Në Itali janë mbi 30 mijë sipërmarrje shqiptare që japin kontribut atje, ndërsa në Shqipëri ndihmojnë përmes remitancave. Sipas ministrit Balla, pikërisht kjo shoqatë ka një rol të rëndësishëm në asistimin e këtyre bizneseve në Itali.
“Shoqata e kontabilistëve shqiptarë në Itali ka një rol të rëndësishëm në asistimin e këtyre bizneseve, duke e njohur shumë mirë terrenin dhe ligjet italiane”, deklaroi ministri Balla.
Po ashtu raportohet se ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin u ka kërkuar drejtuesve të shoqatës ndihmë për ndërgjegjësimin e shqiptarëve në Itali, për t’u regjistruar e për të votuar në zgjedhjet e 11 Majit.
“Profesionistët shqiptarë janë urë lidhëse mes dy vendeve dhe mund të ndihmojnë në këtë fazë të rëndësishme dhe përfundimtare në procesin e integrimit europian” tha ministri Balla.
Çfarë është ADCAI?
Shoqata Italiane e Kontabilistëve Shqiptarë të Miratuar (ADCAI) është një organizatë që përfaqëson profesionistët shqiptarë në fushën e kontabilitetit, financave dhe këshillimit tatimor në Itali.
Kjo shoqatë është krijuar me synimin për të ndërtuar ura bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Italisë, duke ndihmuar në lehtësimin e shkëmbimit të njohurive, promovimin e bizneseve dhe fuqizimin e komunitetit të profesionistëve shqiptarë jashtë vendit.
Në takimet në Tiranë, ata kërkojnë njohjen zyrtare të Shoqatës nga autoritetet shqiptare, të njihet si një entitet zyrtar dhe strategjik për konsulencën dhe bashkëpunimin profesional mes dy vendeve, si dhe përfshirjen e ADCAI në aktivitete zyrtare dhe bilaterale./tvklan.al