Reshjet intensive gjatë vitit 2024 shkaktuan përmbytje me pasoja më të rënda në disa qarqe të vendit. Sipas Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, ndryshe nga viti 2023 ku kryesisht u prekën tokat bujqësore, vjet përmbytjet prekën zonat urbane dhe ishin më të shpërndara, specifikisht në qarqet Shkodër, Kukës, Durrës, Elbasan, Korçë, Vlorë, Pukë apo Fushë-Arrëz.
Leonard Qyra: Në vitin 2023, janë prekur 2 mijë ha tokë në Lezhë dhe Shkodër, nuk kanë patur një impakt shumë të lartë ekonomik. Sa i përket 2024 kemi një karakteristikë tjetër, përmbytjet kanë qenë kryesisht nga shira intensivë dhe kryesisht kanë qenë në zonat urbane.
Dëmet më të mëdha vjet ishin në qytetin e Vlorës.
Leonard Qyra: Në Vlorë janë dëmturar, prekur rreth 375 familje me një kosto ekonomike 66 milionë Lekë, pa përfshirë bizneset.
Një nga problematikat që Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile që ka konstatuar është infrastruktura e kullimit dhe drenazhimit.
Leonard Qyra: Ajo ç’ka kemi evidentuar ne dhe që është urgjente është pastrimi i kanaleve të ujërave të larta, ka edhe ndërtime.
Për këtë arsye i kërkohet pushtetit lokal një vëmendje më e shtuar.
Leonard Qyra: Është shumë e rëndësishme që të pastrohen kanalizimet, kanalet e ujërave të larta, por një thirrje shkon edhe për qytetarët që dhe ata të jenë më të ndërgjegjshëm për t’i pastruar këto kanale para banesave të tyre.
Për vitin 2025, në fokus do të jetë mbrojtja lumore, riparimi i urave si dhe i mureve mbrojtëse për parandalimin e rrëshqitjeve. 300 milionë Lekë fonde që i akordohen bashkive janë parashikuar për rehabilitimin e digave dhe rezervuarve.
Tv Klan