Kampioni i ri i Superligës Shqiptare do të kurorëzohet më 12 Maj. Është ky verdikti i dhënë nga Komiteti Ekzekutiv i FSHF, që zhvilloi mbledhjen e parë për këtë vit kalendarik, duke marrë edhe disa vendime të rëndësishme.
Sezoni i rregullt prej 36 javësh do të ulë siparin më 27 Prill, për të vijuar më pas me fazën Final Four që do të mbahet nga 4 deri më 12 Maj. Një raund ku do të zhvillohen tre takime në total, mes katër skuadrave të renditura më lart në renditjen e përgjithshme.
Më pas do të luhet finalja e Kupës së Shqipërisë, me Komitetin Ekzekutiv të FSHF që ka caktuar datën 1 Maj.
Në kuadër të organizimit të Kampionatit Europian U-17 “Shqipëri 2025” u vendos rinovimi i disa terreneve sportive, ku do të kryhen punime të thelluara në “Selman Stërmasi”, kompleksin “Skënder Halili”, “Tofik Jashari” dhe “Roza Haxhiu”.
Po në kuadër të organizimit të Kampionatit Europian U-17 “Shqipëri 2025”, u mor vendimi për punime të pjesshme në “Niko Dovana”, “Tropikal Sol”, “Luzi” dhe “Egnatia Arena”.
Gjithashtu, Komiteti Ekzekutiv vendosi të investojë në stadiumin e Vorës, për ndërtimin e tribunën kryesore sipas standardeve të UEFA-s.
Diskutimet u përqendruan edhe në çështje administrative, përgatitjet për grumbullimet e ekipit Kombëtar për kualifikueset e Kupës së Botës 2026, si dhe buxhetin për futbollin amator për periudhën 2025-2026.
Klan News