Punonjësit e Autoritetit Rrugor Shqiptar kanë nisur punën në terren për të verifikuar dokumentacionin e të gjithë aktiviteteve që janë ndërtuar në akset kombëtare. Njëkohësisht me verifikimin e lejeve të dhëna për shumë subjekte të cilët kanë vendosur struktura tregtimi apo tabela, inspektorët janë duke shënuar edhe listën e objekteve që janë ndërtuar apo veprojnë në kundërshtim me kodin rrugor.
Fotografimi ka nisur në dy prej rrugëve që njihen për problematikën e madhe që kanë me ndërtesat e paligjshme, Tiranë – Lezhë dhe Tiranë – Rrogozhinë. Në ditët në vijim Autoriteti Rrugor do të bëjë hedhjen e të dhënave edhe për rrugët e tjera. Fotografimi do të vlejë për nisjen e aksionit në datën 1 tetor, ku subjektet të cilat kanë ndërtuar jashtë ligjit, do tu prishet godina, tabela, apo rruga dalëse që lidhet me aktivitetin e tyre. Ministria e Infrastukturës dhe Energjisë ka lënë afat fillimin e muajit të ardhshëm që bizneset të bëjnë vetë zhvendosjen.
Në fazën e dytë fotografimi do të vlejë për të bërë shpronësimin e subjekteve që kanë leje, por që godina e tyre bie ndesh me standardet e kodit rrugor. Dy ministrat Fatmir Xhafaj dhe Damian Gjiknuri kanë firmosur një urdhër të përbashkët, ku vihet në lëvizje Inspektoriati Kombëtar i Territorit, Policia e Shtetit dhe punonëjsit e drejtorisë së rrugëve për të nisur punën për pastrimin e hapësirave në segmentet nacionale. Sipas të dhënave të deritanishme janë 1000 karburante që kanë rrugë kalimi të paautorizuar dhe disa qindra mijëra tabela.
Tv Klan