Së shpejti në qytetet shqiptare nis funksionimin Policia Bashkiake me një efektiv prej 1200 policësh. Ligji për krijimin e kësaj force policore shqiptare ka tre vjet që është miratuar nga Parlamenti, por tani nis zbatimin në praktikë me një fond prej 350 milion lekësh. Në diskutimin e sotëm në zyrat e Kuvendit, ministrat Fino dhe Demeti, deputetë dhe përfaqësues së Ministrisë së Rendit, debatuan nëse kjo strukturë policore do të ngrihet menjëherë apo do të eksperimentohet më parë në dy apo tre bashki të Shqipërisë.
Policët bashkiakë kanë të njëjtën status me forcat e rendit, por nuk janë pjesë e forcave të armatosura. Ata zbatojnë urdhërat e kryebashkiakut dhe Këshillit Bashkiak për ndërtimet e paligjshme, zënien e trojeve, mbajtjen e rendit në ceremoni fetare, tregje, plazhe dhe kinema. Polici bashkiak ka të drejtën e gjobës nga 500 deri në 5 mijë lekë të reja./tvklan.al
Gazetar: Vladimir Lame