E premtja ka shënuar nisjen e procesit të shpërndarjes së letërnjoftimeve në të gjitha njësitë vendore të kryeqytetit. Aplikuesit e parë janë paraqitur prej mëngjesit në zyrat përkatëse të shpërndarjes për të tërhequr dokumentin e ri identifikues.
“Vetëm thjesht kuponin atë që kishim bërë aplikimin, dokumentin e vogël me gjithë certifikatë dhe e morëm.”
Ministria e Brendshme njoftoi se ky proces po vijon normalisht dhe u bëri thirrje qytetarëve të paraqiten për të tërhequr letërnjoftimet e rinj.
Fatmir Konja: “Zyrat e shpërndarjes së letërnjoftimeve elektronike u hapën në njësitë bashkiake 3, 4, 7 dhe 10 ndërsa sot janë të gatshme për t’u shërbyer qytetarëve për tërheqjen e letërnjoftimeve edhe në njësitë 1, 5, 6, 8, 9 dhe 11.”
Për të tërhequr kartën e ID qytetarët duhet të kenë me vete kuponin që kanë marr në momentin e aplikimit. Nëse ai ka humbur atëherë ata duhet të paraqiten me një dokument identifikues. Për të aktivizuar kartën çdo shtetas duhet të formojë një kod 4 shfiror, i cili mbahet sekret prej tij. Ky kod gjithashtu do ti shërbejë në çdo moment për verifikim.
Ndërsa procesi po vijon normalisht, ministra e brendshme ju ka bërë edhe njëherë thirrje qytetarëve për të aplikuar. Zyrat qëndrojnë të hapura nga ora 8 deri në orën 21 çdo ditë të javës me përjashtim të dielën./tvklan.al
Gazetare: Brunilda Cami