Një nga lagjet më të vjetra të Saukut, ku mbizotërojnë shtëpi private dhe pallate 5-katëshe të ndërtuara para viteve ‘90, po merr një pamje krejt të re me rrugë, trotuare, ndriçim dhe hapësira të gjelbra, në funksion të përmirësimit të jetesës së banorëve.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i shoqëruar nga deputeti i PS, Besnik Baraj inspektoi fillimin e punimeve për rikualifikimin e bllokut të banimit në Rr. “Osma”, ku theksoi se puna do të vijojë me ritme të shpejta gjatë gjithë verës.

“Kjo verë ka qenë e gjitha në punë për Bashkinë e Tiranës. Ky është një investim i cili po bëhet me forcat e bashkisë, një mënyrë për të treguar se kur bashkia menaxhohet në mënyrë nikoqire, megjithëse taksat i kemi modeste, megjithëse shpenzimet i kemi të larta, arrijmë të bëjmë gjëra që nuk janë bërë prej shumë vitesh. Ndaj mezi pres që t’i shkojmë kësaj pune deri në fund dhe deri në fund të verës, kur edhe banorët të jenë kthyer nga pushimet, të kemi mbaruar Rr. ‘Osma”

, tha Veliaj.

Kryebashkiaku Veliaj deklaroi se ky investim është tregues i vizionit të Bashkisë së Tiranës për të investuar edhe në nivel kapilar në çdo lagje, për përmirësimin e infrastrukturës.

“Më vjen mirë që tani kemi kaluar në nivel kapilar dhe ashtu siç premtuam në fushatë, që do të ktheheshim për të mbajtur fjalën, siç kemi punuar në qendër, do të fillojmë të punojmë edhe në periferi. Punuam nga ana tjetër e autostradës, te Rr. “Herman Gmeiner”, pastaj bëmë lidhjen me krahun tjetër të Saukut, rreth e qark Pallatit të Brigadave, dhe tani po punojmë në krahun tjetër të Rrugës së Elbasanit”, th

a Veliaj, duke siguruar se ky ritëm do të mbahet në çdo lagje të kryeqytetit, duke ndërhyrë çdo ditë për një punë të re.

Kreu i Bashkisë kërkoi bashkëpunimin e banorëve për lirimin e hapësirave të cilat bëhen pengesë në realizimin e projekteve që kanë rëndësi për të gjithë komunitetin.

“Dua t’u kërkoj bashkëpunim të gjithë banorëve. Sa herë që qytetarët shohin një trotuar të ngushtë, do të thotë se na është refuzuar bashkëpunimi nga banori që ka shtëpinë aty ngjitur. Sigurisht, me procedura shpronësimi apo me sherre në komunitet asnjë nuk do që t’i futet këtyre andrallave, ndaj edhe kërkoj bashkëpunim”

, u shpreh ai.

 

Veliaj deklaroi se përfitues nga lirimi i këtyre hapësirave janë vetë pronarët, jo vetëm sa i përket rritjes së vlerës së pronës së tyre, por edhe të zhvillimit të saj.

“Një shtëpi me trotuar, ku fëmija nuk del drejt e në rrugën e makinës, është një shtëpi më e sigurtë. Ndaj të parët që përfitojnë janë ata vetë. Sigurisht, edhe komuniteti ka ku të ecë. Ne nuk do të jetojmë 100 vjet, do të jetojmë mjaftueshëm për të lënë një emër të mirë në komunitet dhe secili mund ta bëjë këtë, jo duke qenë ndonjë zyrtar i lartë, por duke ofruar qoftë edhe hapësirën e avllisë së vet që të ketë mundësi për të ndërtuar një trotuar”,

tha Veliaj.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës bëri të ditur se në këtë lagje do të nisë edhe ndërtimi i këndit të lojërave ku fëmijët do të kenë hapësirën e tyre ku mund të luajnë në mënyrë të sigurtë./tvklan.al