Kryetarja e re e parlamentit, e vendosur për të disiplinuar të zgjedhurit, nuk priti që në sallë të ishin të gjithë deputetët, por fiks në orën 17:00 nisi seancën plenare që shënoi dhe çeljen e sesionit të ri parlamentar.
Por kjo ngjalli indinjatën e opozitës. Gazmend Bardhi i kujtoi se vonesa ishte për arsye objektive, takim me banorët e Fushë Krujës që protestojnë prej ditësh për rrugën Thumanë-Kashar, duke i kërkuar zv/kryeministres të dëgjojë edhe ajo si opozita ankesat e tyre.
“Ne hyjmë në sallën e seancave plenare 3 minuta me vonesë…”
Pavarësisht kësaj, të dy palët kërkuan nga njëri-tjetri që ky sesion të jetë stina e bashkëpunimit parlamentar, edhe pse çështjet për të cilat ata kërkuan të gjejnë vullnet ishin të ndryshme.
“Opozita të marrë vendin dhe përgjegjësitë e saj në këto komisione të posaçme”, tha Spiropali.
“Në këtë sesion uroj që kartonët si deputetë t’i ngremë duke u nisur nga nevoja për t’i dhënë zgjidhje mungesës së garancive për zgjedhje të lira dhe të ndershme”, u shpreh Bardhi.
Kreu i ri i grupit parlamentar socialist lajmëroi se mazhoranca ka në projektet e saj më të afërta, që do bëhet publike shumë shpejt, që synon transparencën.
“Këtë hap duhet ta hedhim me guxim në këtë sesion parlamentar. Rasti i fundit i eksportit të mbetjeve të dyshuara si mbetje të rrezikshme është një ilustrim i mirë për këtë kulturë politike që duhet ta lemë pas. Nxjerrja e konkluzioneve, shpallja e fajtorëve pa pritur të thonë fjalën e tyre institucionet është rast tipik i politikës pa fakte, por me aludime spekulative”, tha Peleshi.
Seanca tjetër plenare ku pritet të nisë debati i vërtetë kuvendor është ajo e 12 Shtatorit, ku si çështje e parë është ajo e zbatimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, për të çuar për gjykim mocionin për mandatin e deputetes Olta Xhaçka.
Tv Klan