Prokuroria do të nis nesër zyrtarisht hetimin për ngjarjen e ndodhur në Rozafa Palas. Sipas denoncimit të gazetarit Ilir Babaramo, ky i fundit është dhunuar nga ish ministri Luan Rama. Padia kundër Ramës u depozitua në Prokurorinë e Rrethit të Tiranës, ndërësa gjatë një takimi që Babaramo pati me kryeprokurorin Theodhori Sollakun, ju premtua se kjo çështje do të shihet me përparsi nga organi akuzës. Nisja e hetimeve do të shënojë dhe fillimin e mbledhjes së provave që do të implikojnë ose jo përfundimisht kreun e rendit Luan Rama, në rast se gjënden elemente të veprës penale të konsumuar prej tij, akuza do ti drejtohet kuvendit për heqjen e imunitetit të deputetit.

Zoti Rama aktualisht mund të vihet në dispozicion të prokurorisë me vullnetin e tij vetëm si dëshmitar duke paraqitur versionin e ngjarjes dhe hollësi që do të ndihmojnë prokurorët të zbardhin çështjen. Rama do të vazhdojë detyrën e Ministrit të Rendit deri në votimin e kandidatit tjetër në parlament. Gjatë kësaj kohe po vazhdojnë ndryshimet në nivel drejtuesish të Policisë Kriminale, të paktën në komisariatet e Tiranës.

Nga burimet policore të kryeqytetit mësohet se së fundi Ministria e Rendit ka firmosur ndyshimin dhe lëvizjen e shefave të krimeve në komisariatet 1, 3 dhe 4 të Tiranës, ndërësa nuk ka asnjë reagim nga kjo ministri për largimin e shefit të krimeve në Drejtorinë e Policisë, Met Rrumbullaku, i cili dha dorëheqjen mbas vrasjeve të tipit mafjoz të ndodhura ditët e fundit në Tiranë./tvklan.al