Sipas të dhënave të fundit të shërbimeve sekrete franceze, në vend janë rreth 16 mijë terroristë potencialë. Por autoritetet thonë se është e pamundur që të ndalohen të gjithë.
Pikërisht si pas sulmeve në Londër, Stokholm dhe shumë të tjerë, pak orë pas sulmit në Champs-Élysées, u mor vesh se atentatori ishte një emër jo i panjohur për antiterrorizmin edhe pse nuk rezultonte i skeduar si një subjekt i radikalizuar. Por kritikat kanë qenë të menjëhershme dhe akuzat kundër shërbimeve sekrete franceze për paaftësi. Madje ka pasur dhe akuza se shërbimet sekrete mund të bashkëpunojnë me terroristët për të favorizuar ardhjen në pushtet të Marine Le Pen.
Por shpjegimi i kësaj dinamike është më i thjeshtë, në një vend demokrat ku udhëheq shteti i së drejtës nuk mund të hiqet nga qarkullimi një individ vetëm sepse ka ide ekstremiste. Në Francë ashtu si në çdo vend perëndimor, antiterrorizmi vepron duke monitoruar me durim ambientet e konsideruara “të nxhehta”, si internetin, burgjet, xhamitë dhe zonat ku qëndrojnë ekstremistë. Subjekte që në një mënyrë ose tjetrën përfundojnë në qendër të vëmendjes sepse gjykohen si ekstremistë dhe për këtë arsye monitorohen.
Por dhe ky aktivitet ka kufijtë e tij, duke filluar së pari me burimet. Autoritetet franceze deklarojnë se janë 16 mijë individët e skeduar si të radikalizuar. Duke llogaritur se duhen rreth 20 agjentë policie për të monitoruar një subjekt ditën dhe natën, do të duhej pak a shumë një ushtri prej më shumë se 300 mijë efektivësh vetëm për të monitoruar të dyshuarit për terrorizëm. Edhe pse Franca ka një problem më të madh se çdo vend tjetër europian në këtë fushë, askush nuk ka një burim të tillë agjentësh.
Edhe nëse, do të ishin aq agjentë në gadishmëri, ata mund të garantojnë vetëm deri diku nëse një subjekt përbën rrezik real ose jo. Për të monitoruar dikë duhet një autorizim nga gjykata dhe nëse merret, autorizimi është i vlefshëm për një kohë të caktuar.
Është e mundur të jenë kryer gabime dhe që sinjalet për qëllimet e terroristit të Chaps Elysees të jenë injoruar, por nëse nuk kishin të dhënë se Cheurfi do të kryente një atentat, atëherë çfarë mund të bënin shërbimet sekrete franceze? Ta qëllonin me gjakftohtësi në rrugë si bëjnë shpesh agjentët e policisë në shumë vende afrikane apo në Lindjen e Mesme?
Fatkeqësisht nuk ekziston një mënyrë që do të zgjidhte problemin në mënyrë magjike. Më shumë burime do të ndihmonin antiterrorizmin që të monitoronte një numër më të madh të dyshuarish. Por edhe shërbimi më i mirë sekret nuk mund të monitorojë çdo gjë, dhe në një fazë terrorizmi spontan si ai që po shohim, nuk mund të parashikosh se kush nga sot ose nesër do të vendosë të përdorë një automjet apo armë për të qëlluar mbi një turmë njerëzish të pafajshëm. /ABC News