Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike Flamur Noka e qartësoi PS-në se në Kuvend nuk janë rikthyer për diskutime me ta, por për transparencë ndaj qytetarëve. Kryeparlamentares Elisa Spiropali iu drejtua me pseudonimin “Nafije”.
“Sekti më i ndyrë i njerëzimit që ka shkelur në trojet shqiptare është i Rilindjes. Flasin me gjuhë bolshevike, shfryjnë mllef e duf ndaj opozitës. Kjo zonja këtu në krye ka marrë rolin e Nafijes te filmi “Gjuetia e fundit”. Nafija siguronte shokun Sillo. Sot s’kemi ardhdur për të gjetur gjuhën me ju se nuk ndodh të ulemi ne me hajdutët, me përfaqësuesit e krimit të organizuar. Kemi ardhur për shqiptarët, për atë buxhet që e keni vjedhur. Kemi ardhur t’ju çjerrim maskën, t’u themi se herë pas here kujtoheni se opozita duhet parë. E keni trajtuar si armike! Ju ëndërroni monizëm të plotë sepse sulltani juaj nuk duron dot zë ndryshe, do skllevër, ja kështu i do. Një tufë! Me të cilët i vjedh të gjitha dhe pastaj kur i dalin zbuluar, thotë thikë pas shpine. Jemi këtu për betejë! Mosbindja civile do vazhdojë, po shqiptarëve do u flasim për buxhetin.”
“Na dukeni si miza të gjithë!”, iu tha Noka eksponentëve të mazhorancës.
Megjithatë, Spiropali nuk e la pa e replikuar me ironi.
“I ke pak të vjetëruara këto metaforat e krahasimet, i ke pak socialiste. Mua më kishe munguar në këtë foltore, keni bërë mirë që jeni rikthyer sepse qytetarët duan t’ju dëgjojnë. Kurseji pak ato metafora. Nuk shkon që një burrë të ngrihet në atë foltore dhe të përdorë ato metafora, që t’i kishe pak më moderne do të ishte më mirë.”
/tvklan.al