Në janar të 2020-ës, emisioni “Stop” në Tv Klan trajtoi rastin e qytetarit Muharrem Hoçja nga Kruja. Problemi i tij lidhej me dëmtimet e shkaktuara nga tërmeti i 26 nëntorit të vitit 2019. Zoti Hoçja u ankua se bashkia e Krujës e kishte shpallur pallatin të pabanueshëm, madje këtë e tregonte asokohe një tabelë e papërshtatshme.

Gazetarja e “Stop” iu drejtua bashkisë lidhur me këtë dhe nga bashkia u tha se ky ishte një proces paraprak vlerësimi. Sipas bashkisë, dëmi ishte i përqendruar në kolona dhe trarë e soleta të dëmtuara. Më pas u ngrit grupi i punës dhe u bë një vlerësim i dytë ku u tha se për momentin pallati ishte i pabanueshëm.

Vetë drejtori i ndjerë i Institutit të Ndërtimit, shkoi në vendngjarje dhe u shpreh se pas verifikimit serioz, ky objekt nuk pati dhe nuk ka probleme në strukturë. Pas këtyre zhvillimeve, z.Hoçja, investitor dhe banor në këtë pallat, mori një leje nga bashkia Krujë më 27 janar 2020 për të nisur riparimin e dëmeve.

Shefi i Urbanistikës: Tani jam në timon me thënë të drejtën. Na u drejtoni me një shkresë zyrtare dhe do t’ju informojmë për çdo gjë!

Por Prokuroria e Krujës, tre ditë më pas nisi një procedim penal “Ndërtim i paligjshëm” dhe “Shpërdorim detyre”.

Sot pas 4 vjetësh, Muharrem Hoçja thotë se është ndërhyrë kudo, përveçse në pallatin ku ai është pjesërisht pronar. Biznesmeni tregon se e ka kallëzuar kryetarin e bashkisë së Krujës për “shpërdorim detyre”. Hoçja i është drejtuar Ministrisë dhe Institutit të Ndërtimit, ku ky i fundit ia lë përgjegjësinë bashkisë për projektin dhe zbatimin e tij./tvklan.al