Emisioni politik më i ndjekur dhe më i preferuar në ekranet shqiptare. “Opinion” vjen në katër takime çdo javë – e hënë, e martë, e mërkurë dhe takimi tradicional i të enjtes mbrëma.
E ftuar: Elsa Lila
Pjesa e dytë dhe e tretë e emisionit Opinion do të trajton një histori mjaft të veçantë. Bëhet fjalë për historinë e këngëtares së njohur Elsa Lila e cila u mbyll për 55 ditë në një nga burgjet Romës. Historinë e saj këngëtarja vendosi që të tregonte në një libër. Një libër i cili përshkruan me një realizëm të frikshëm 55 ditët e saj në burg, që në momentin e parë që hyri në burg dhe deri në ditën e 55 ku ajo u la e lirë. Me anë të fjalëve Elsa Lila përshkruan realitetin e burgut dhe jetesën brenda tij.
Vuajti 55 ditë burg pa prova, Elsa Lila rrëfen për herë të parë dyshimet: Përdorën imazhin tim!
“Mirë se erdhe në Rebibbia”, është një ndër librat më të shitur në Panairin e fundit, vepër e artistes Elsa Lila. Kjo e fundit, ka folur sonte në studion e “Opinion” për 55 ditët e saj e izoluar, të cilat i vuajti në mënyrë të padrejtë. Teksa falenderoi të gjithë lexuesit që janë interesuar për historinë e saj, ajo rrëfeu se pse u burgos në një prej burgjeve më të frikshme të shtetit italian.
“U burgosa sepse u akuzova si pjesëmarrëse në një organizatë kriminale për shpërndarje të lëndëve narktike. Më akuzonin se unë isha një nga krerët e këtij absurditeti. I vetmi link ishte njohja e miqësia ime me dy prej të akuzuarve, të cilët janë shqiptarë. I njihja pa e ditur se çfarë bëjnë ata. Kur isha në 41 biss, ato dy javë telefoni im u kontrollua në të gjitha celulat.”
Për herë të parë, këngatarja e njohur ndau dyshimet e saj sa i takon burgosjes pa fakte.
“Duke qenë se është absurde që pa prova një person publik, një artiste e nderuar e respektuar të përdorej si lajmmotiv, të përdorej si heroina e kësaj organizate, mbrapa kishte diçka madhore e tendencioze, ndoshta edhe nga këtu…Për të bërë një efekt bilardo, një efekt domino nëpërmjet Elsa Lilës. Për të përdorur Elsa Lilën! Do të thotë që kanë përdorur imazhin tim!”
Ajo thekson se vuajti izolimin për thuajse 2 muaj duke qenë e pafajshme, e për këtë gjë do kërkojë rimbursim në rrugë ligjore.
“Pas 55 ditësh, do ta lexoni në libër, isha e vetmja që kërkova një pyetësor. Prokurori që ndiqte çështjen u bind totalisht nga përgjigjet e mia, nga mungesa e fakteve dhe në celular s’kishte asnjë komunikim me bandat. Personat në fjalë ishin miq të miqve, që u transferuan në Romë para disa vitesh. Që takoheshim herë pas here për ndonjë kafe, ndonjë birrë. Të gjithë janë brenda! Arrita dhe pata fatin të takoja dhe njerëz shumë dashamirës aty brenda, që më ndihmuan që ato ditë të ishin më të jetueshme”, tregoi Lila.
14 ditë në izolim total, Elsa Lila rrëfen në “Opinion” eksperiencën në burg: Natën e parë fjeta në karrige
Këngëtarja e njohur shqiptare, Elsa Lila, ka rrëfyer ditët e saj në qeli përmes një libri. “Mirë se erdhe në Rebibbia” është titulli i librit duke mbajtur kështu emrin e burgut famëkeq në Romë.
Ajo tregon aty kohën që kaloi në një nga burgjet më të tmerrshme të Romës. Në një intervistë për Blendi Fevziun, Lila tregoi se 14 ditë i kaloi në 41 biss, pra në izolim total.
“14 ditë në izolim total, pa asnjë kontakt me botën, pa asnjë objekt. Siç mund ta kesh lexuar në libër, edhe prezenca e një stilolapsi ishte e çmuar në ato momente dhe m’u fut në mënyrë sekrete”, tha Lila.
Ndër të tjera këngëtarja flet për kushtet e këqija në burg. Natën e parë në izolim ajo nuk mund të flinte dot dhe shkak ishte dysheku. Për këtë arsye tregoi se ka fjetur në karrige dhe në tavolinë. Por siç i kishin thënë edhe gardianët, në dhomën e izolimit ai dyshek do të dukej në fund si krevat perandori.
“Besoj se kam shpenzuar tre katër faqe të librit për të përshkruar dyshekun i cili u bë një personazh i dhomës time. Ishte shumë i tmerrshëm. Ditën e parë fjeta në karrige dhe majë tavoline. Sepse kur m’u lodh kurrizi jam shtrirë kudo që kam mundur vetëm të mos eksperimentoja atë. Ashtu siç më kishin thënë ata që kalonin nga ajo vrimë e izolimit ku unë jetoja që shpejt do të të duket si krevat perandori. Çedova”, tha ajo.
Lila tha se burgu i Rebibbia-s ka pasur akuza publike kundrejt menaxhimit për kushtet e këqija. Para disa vitesh tentuan të bëjnë rregullime pa shumë suksese. Edhe gjatë qëndrimit të saj, Lila rrëfen se dushet nuk punonin dhe uji ishte i ftohtë.
“Kur na bie dera e shtëpisë jemi ende të terrorizuara”, Elsa Lila rrëfen pasojat e arrestimit
Këngëtarja Elsa Lila vendosi që të gjithë arrestimin e saj dhe qëndrimin për 55 ditë në burg ta tregojë në një libër, “Mirë se erdhe në Rebibbia”. Ajo ishte e ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan ku ka folur për momentin e arrestimit, diçka që nuk ia uron askujt teksa po fliste për ndarjen me vajzën.
“Momenti i arrestimit dhe ndarja nga vajza kanë qenë aq tragjik sa nuk ia uroj askujt në jetën time. Askujt nuk ia uroj një gjë të tillë”, tha ajo.
Elsa Lila tregoi edhe emocionet kur është ribashkuar me vajzën ndërsa rrëfen edhe pasojat që i ka shkaktuar arrestimi të dyjave.
Blendi Fevziu: Çfarë të tha kur u ktheve në shtëpi?
Elsa Lila: Nuk kemi folur, jemi përqafuar për rreth një orë dhe kemi bashkuar gjokset me njëra tjetrën dhe thjesht shkëmbenim tik-taket e zemrës. Pas shumë kohë e thyem heshtjen e emocionit.
Blendi Fevziu: Po më pas ke folur me vajzën?
Elsa Lila: Deri dje në mbrëmje para se të nisesha këtu kam folur sepse kur ne na bie dera e shtëpisë jemi ende të terrorizuara. Ajo akoma nuk e ka kaluar traumën e derës ku bie papritur, pa paralajmëruar askush. Në Itali ndodh shpesh sepse është postieri që i bie citofonëve.
/tvklan.al