#Opinion | Emision politik live nga #BlendiFevziu në #TvKlan
Emisioni politik më i ndjekur dhe më i preferuar në ekranet shqiptare. “Opinion” vjen në katër takime çdo javë – e hënë, e martë, e mërkurë dhe takimi tradicional i të enjtes mbrëma.
Të Ftuar: Ornela Çuçi, Denisa Kele, Artan Hoxha, Arbër Hitaj, Bledian Koka, Fitim Zekthi
Ditën e diel, kryeministri Edi Rama mbajti një fjalim të gjatë që e kishte njoftuar në rrjetet sociale, në të cilin u fokusua te informacioni i SPAK lidhur me implikimin e tij në çështjen e “Xibrakës”, por njëkohësisht duket se u mundua të provokonte një përgjigje në rrjetet sociale duke përdorur një koment prej tyre, rikthimin e një gjuhe pak të ashpër në raport me liderin e opozitës. Më shumë sesa thjesht debati mes Ramës dhe Bardhit, a po provokon Rama duke nisur një fushatë elektorale ku dy krerët kryesorë do të luajnë me nervat duke provokuar njëri-tjetrin? A kërkon Rama një Berishë më agresiv apo e kundërta, është Berisha që po tenton të ruajë një gjuhë më pozitive ku tenton më shumë të merret me problematikën dhe zgjidhjen e tyre pas zgjedhjeve? Duket se në këto zgjedhje, rrjetet sociale do të luajnë një rol të madh. A kemi hyrë realisht në fushatën elektorale dhe në peshën kryesore të saj që drejtohet nga dy liderët kryesorë?
“Reagimi i Ramës, pasojë e sondazheve”, Koka: Ka ndryshuar elektorati, emigracioni intelektual do të sjellë…
Kryeministri Edi Rama ditën e djeshme pati një reagim të gjatë në rrjetin e tij social, ku u ndal më shumë në zhvillimet e fundit të aktualitetit të cilat lidhen edhe me hetimet ndaj vëllait të tij, por jo vetëm.
Lidhur me këto deklarata, gazetari Bledian Koka në studion e emisionit “Opinion” u shpreh se Kryeministri i bën këto lloj fjalimesh kur sheh ndryshime në sondazhe.
Ndër të tjera gazetari Koka u shpreh se tashmë ka ndryshuar elektorati, pasi në lojë është futur edhe vota e diasporës. Sipas tij emigracioni pas viteve 2013 është emigracion intelektual dhe se këto persona që janë larguar nga Shqipëria e dinë shumë mirë faktin pse janë larguar nga vendi, gjë që do të rezultojë pozitive për opozitën.
Bledian Koka: Edi Rama reagimet e tij me aq sa kam informacion është që zoti Rama këto dalje të kësaj natyre i bën vetëm kur diçka lëviz tek sondazhet që është elementi i vetëm që e dikton artikulimin e tij apo mesazhe të caktuara. Unë mendoj që zakonisht kur sondazhet çedojnë, jo në mënyrën që zoti Rama ka pritshmërinë e tyre është pikërisht ky lloj artikulimi. Edi Rama është aq i vjetër në pushtet saqë 99% të atij fjalimi e ka thënë para 10 vitesh këtu në studion tënde. Para se të vinte në pushtet ka ardhur këtu tek ti dhe foli për nënën ndjesë pastë, për të birin, për martesën e dështuar edhe madje ju tha edhe socialistëve që shikoni unë do ta bëj një aleancë me Ilir Metën sepse të gjitha ato që kanë ndodhur do t’i marrë unë në kurriz dhe do t’ju sjell unë në pushtet. Dhe koha i dha të drejtë deri në këto momente. Pyetja është pse e ka rikthyer të njëjtin fjalim sot?
Blendi Fevziu: Po pra pse u rikthye ky…
Bledian Koka: Sepse unë pajtohem me atë që tha Ornela që ka ndryshuar edhe elektorati dhe është një elektorat që është jo vetëm në Shqipëri, por edhe elektorati jashtë shtetit. Emigracioni që ka ndodhur nga 2013 deri në këto vite ka qenë emigracion cilësor, pra intelektual të njerëzve që e dinë shumë mirë përse u larguan nga Shqipëria dhe arsyeja është kjo qeverisje dhe prandaj ata që mendojnë se opozita ka bërë një gabim duke pranuar votën e emigrantëve e kanë gabim.
Denisa Kele: Opozita është rritur në TikTok, rrjetet sociale do të kenë rol të madh në zgjedhje
Ekspertja e rrjeteve sociale dhe pedagogia Denisa Kele thotë se gjatë kohëve të fundit është vënë re një rritje e opozitës në platformën sociale TikTok.
E ftuar në emisionin Opinion në Tv Klan, Kele u shpreh se rritja për opozitën në TikTok filloi kryesisht për daljes së Sali Berishës nga arresti shtëpiak.
“Është vënë re një rritje e opozitës në platformën TikTok. Ka një lloj trendi linear. Po vëmë re që opozita, edhe pas daljes së z.Berisha nga arresti i shtëpisë, ka një rritje. Duke qenë se Rama po zgjedh platforma online për të bërë deklarata, e dimë shumë mirë se cila është gjuha që tërheq në këto platforma. Ajo që tërheq është gjuha e urrejtjes. Në momentin që postimet dhe kontenti do jetë me shënim nga komuniteti, në një vend si Shqipëria, do të thotë që e vërteta do të jetë shumë e largët. Dhe nuk hiqet asnjë lloj kontenti dot”.
Sa i përket zgjedhjeve parlamentare të 11 Majit, Denisa Kele mendon se rrjetet sociale do të kenë ndikim të madh.
“Në këto zgjedhje, mendoj që rrjetet sociale do të luajnë rol shumë të madh. Sot nuk po diskutohet për platforma apo struktura. Do kenë ndikim shumë të madh në zgjedhjet e tanishme”, theksoi ekspertja e rrjeteve sociale.
“Rama kërkon të diferencohet radikalisht me dy cilësi”, analiza e Hoxhës: Nuk synon thjesht fitore
“Kë favorizon radikalizmi?”, është pyetja përpara së cilës u gjend paneli i të ftuarve në emisionin “Opinion” në Tv Klan për të analizuar qasjet e Rams dhe Berishës. Sipas analistit Artan Hoxha, kryeministri kërkon të diferencohet nga kundërshtarët te etika dhe estetika.
Artan Hoxha: I kthehem tezës që Rama kërkon të diferencohet thellësisht, radikalisht po të doni në raport me kundërshtarët në ato dy cilësi që ka.
Blendi Fevziu: Që janë ndershmëria po themi dhe…
Artan Hoxha: Te etika dhe estetika. Një variabël i tretë do të tentojë ai.
Hoxha shton se Rama do të tentojë edhe te rezultati sepse synimi i tij nuk është një fitore e thjeshtë, por një fitore me shumicë votash. Megjithatë, ai thotë se ka ende disa të panjohura pas zgjedhjeve në SHBA dhe votës së diasporës.
Artan Hoxha: Do të tentojë edhe një element të tretë që është rezultati apo efektiviteti. Ka filluar ta thotë ata janë Sudja që propozojnë për pensionet e flasin, Sudja e vjetër etj, kurse ky po bën atë për pensionistët, kurse ky po bën në tre dimensione, do të synojë të distancohet në përmasa sa më të mëdha të mundshme për të arritur edhe diçka tjetër. Ai nuk synon thjesht fitoren, ai po synon një fitore me diferencë të madhe. Duket sikur e beson këtë gjë, por ka filluar të ketë ndonjë pasiguri sepse jemi pas 5 nëntorit dhe pas 5nëntorit gjithë bota dhe Shqipëria smund të jetë më njësoj dhe si do të marrin rrokopujë ngjarjet, kjo është një e panjohur për Ramën siç është e panjohur edhe emigracioni që voton për herë të parë dhe ne nuk kemi asnjë të dhënë të mëparshme.
/tvklan.al