#Opinion | Emision politik live nga #BlendiFevziu në #TvKlan
Emisioni politik më i ndjekur dhe më i preferuar në ekranet shqiptare. “Opinion” vjen në katër takime çdo javë – e hënë, e martë, e mërkurë dhe takimi tradicional i të enjtes mbrëma.
Kamera e emisionit “Opinion”, e shoqëruar nga Erjola Braha, presidentja e “Alehandro Group”, një biznesmene që e ka nisur karrierën e saj në moshën 20-vjeçare dhe sot përfaqëson disa nga kompanitë më të mëdha të verës dhe shampanjës të botës në Shqipëri, arriti të hyjë në një prej bodrumeve më të rëndësishme dhe më të rralla të botës. Louis Roederer, kompania e cila prodhon shampanjën ndoshta më të shtrenjtë të botës, hapi dyert e bodrumit të saj të verërave ku gjendet një pasuri prej miliardash. Ajo i hap dyert shumë rrallë për mediat për arsye nga më të ndryshme, por kamera e “Opinion” do të na tregojë bodrumin e Louis Roederer, në shtëpinë e tij, aty ku themeluesi i kompanisë ka jetuar dhe më pas në vreshtat ku prodhohet një prej shampanjat më të rralla të botës. Louis Roederer ka prodhuar një shampanjë ekskluzivisht për Carin e Rusisë dhe mbante emrin Cristal. Të shoqëruar nga stafi i Louis Roederer, “Opinion” ka marrë një shpjegim pse shampanja ka këtë vlerë? Kush janë tokat që prodhojnë rrush për shampanjën? Si ndahet mes kompanive të mëdha? Një prej pasurive më të rralla të botës, në emisionin “Opinion”
“Porta e thesarit”, Fevziu hyn në qilarin magjik që vlen miliarda
Kamera e emisionit “Opinion” na përcolli sot pamjet nga një prej thesareve të shampanjës.
Blendi Fevziu ishte brenda qilarit të Louis Roederer, aty ku prodhohet një prej shampanjave më të shtrenjta dhe më të famshme të botës.
Ajo u ndërtua nga vetë Roederer. Puna për të nisi në 1860 dhe përfundoi në 1865. Që prej asaj kohe në atë qilar magjik ndodhen verëra të rezervuara, të cilat përdoren për të prodhuar shampanjë jo “vintage”.
Për ta hapur portën e këtij qilari që brenda ka një pasuri prej miliardash ishte vetë gazetari Blendi Fevziu.
“Nuk është e lehtë të hapësh një derë të Louis Roederer, por le të përpiqemi. Porta e thesarit”, tha ai.
Në qilarin që vizitoi “Opinion” ndodhen 150 fuçi prej lisi. Aty vera vjetërohet deri në 10 vjet dhe i jep shampanjës stilin e kompanisë Louis Roederer.
Fevziu shoqërohej në këtë reportazh nga Erjola Braha, presidentja e “Alehandro Group”, një biznesmene që e ka nisur karrierën e saj në moshën 20-vjeçare dhe sot përfaqëson disa nga kompanitë më të mëdha të verës dhe shampanjës të botës në Shqipëri.
Qilarë 7 km nëntokë! Brenda shtëpisë përrallore të familjes Roederer në Francë
“Opinion” është zhvendosur këtë të Martë në një prej krahinave më të njohura të Francës, atje ku prodhohet shampanja më e mirë në botë. Në vetëm 32 mijë hektarë lejohet të mbillet një rrush i quajtur “Pinot noir”, i cili shërben për prodhimin e shampanjë së famshme “Louis Roederer”. Çdo prodhim jashtë këtyre hektarëve nuk ka kualitetin e kësaj shampanje.
Drejtuesi i emisionit Blendi Fevziu vizitoi vreshtat dhe shtëpinë e famshme të Roederer. Pamjet e rezidencës së ndërtuar 250 vjet më parë janë përrallore! Ka një dhomë cigaresh, dhomën kryesore franceze dhe shumë hapësira të tjera ku është ruajtur stili antik arkitekturor, i gërshetuar me elementë modernë.
Aty ku janë rritur gjenerata të tëra të kësaj familjeje, tanimë priten miq e klientë. Madje organizohen edhe festa! Edhe pjesa e oborrit është mahnitëse e ajo që duhet theksuar është se nëntokë ka qilarë me gjatësi 7 km. Tek këta të fundit mbahen miliona shishe shampanje.
“Është çmenduri, një thesar!”, u shpreh i habitur Fevziu gjatë turit të tij me një punonjës të kësaj kompanie.
Uau! Fevziu hyn në “shtëpinë” e një prej shampanjave më të shtrenjta në botë
“Uau”.
Ky ishte reagimi i Blendi Fevziut pasi hyri në qilarin, ndoshta më të rëndësishëm të Louis Roederer, aty ku vjetërohen shishet Cristal, një ndër shampanjat më të shtrenjta dhe më të veçanta në botë.
Emisioni “Opinion” ishte zhvendosur në Francë, aty ku u njoh me një prej kompanive më të mëdha në këtë fushë.
Qilari ku qëndrojnë shishet Cristal ndodhet 12 metra nën qytet, ose rreth 6 kate. Aty vjetërohen shishet për konsumatorët e ardhshëm.
“Këtu është ajo që quhet shtëpia e Cristal-it. Këtu ruhet Cristal-i”, tha Fevziu.
Cristal ka nevojë për kushtet më të mira, prandaj aty nuk ka dritë. Qilari është bërë me gurë gëlqerorë të pastër pasi kanë lagështi, janë të ftohtë, ndërsa qilari ofron errësirë dhe mungesën e vibracioneve.
Shihet qëndrojnë aty minimumi 6 vite dhe maksimumi në 20 vite. Ato rekomandohen të hapen 20 vite pas datës së vjeljes. Qilari është rreth 3 kilometra i gjatë.
/tvklan.al