#Opinion | Emision politik live nga #BlendiFevziu në #TvKlan
Emisioni politik më i ndjekur dhe më i preferuar në ekranet shqiptare. “Opinion” vjen në katër takime çdo javë – e hënë, e martë, e mërkurë dhe takimi tradicional i të enjtes mbrëma.
Pak ditë më parë, një studim i kryer nga një prej NGO aktive në Shqipëri dhe në rajon, qarkulloi një lajm që pushtoi mediat se 75% e të pyeturve deri në moshën 29-vjeçare nuk ishin në një lidhje në çift, ndërkohë që ata ishin në lidhje ndaheshin në të martuar, në bashkëjetesë apo që nuk jetojnë bashkë. Rreth ¾ e të rinjve që nuk janë në një marrëdhënie tregon një pikëpyetje të madhe sepse kjo shifër ka qenë gjithmonë shumë e lartë. Pse është shumë e vështirë të krijosh marrëdhënie në çift? Pse një pjesë e madhe e vajzave që i afrohen të 30-ave ankohen që numri i djemve për të pasur një marrëdhënie është shumë e vështirë? Djemtë deklarojnë të kundërtën, sipas të cilëve pjesa më e madhe e vajzave kanë një shikim materialist. Çfarë po ndodh me të rinjtë?
Të ftuar: Gëzim Tushi, Iva Tiço, Anxhela Faber, Duda Balje, Ylli Gura, Renaldo Salianji, Sabina Mete,
Në lidhje direkte: Albana Murra
Ajo nxënëse dhe ai mësues, Tushi surprizon me historinë e njohjes me gruan: Vjehrri ishte drejtori i shkollës
Teksa tema e emisionit “Opinion” në Tv Klan është përqëndruar në vështirësimin e martesave në Shqipëri, gazetari Blendi Fevziu ka kapur në befasi sociologun Gëzim Tushi me pyetjen se si është njohur me gruan.
I ftuar në emision, Tushi ka treguar se ai ka qenë mësues i saj në maturë kur janë njohur teksa ka shtuar se marrëdhënia e tyre ishte delikate duke pasur parasysh dhe raportin mësues-nxënës.
Pavarësisht të gjitha vështirësive, Tushi ka rrëfyer se ata ja kanë dalë dhe vitin tjetër festojnë 50-vjetorin e njohjes me gruan e tij.
Blendi Fevziu: Profesor, si je njohur ti me gruan?
Gëzim Tushi: Uu… pyetje e befasishme kjo. Unë bashkëshorten time e kam njohur kur kam qenë mësues i saj. Unë sapo kisha mbaruar universitetin, isha stazhier dhe ajo ishte maturante. Aty u njohëm dhe krijuam një lidhje shumë delikate sepse marrëdhëniet mësues-nxënës… Unë isha 23 vjeç, kur se ajo ishte 18 vjeç.
Blendi Fevziu: Po nuk ta quajtën “shpërdorim detyre” ty këtë?
Gëzim Tushi: Shpëtova sepse vjehrri im ishte drejtori i shkollës dhe në njëfarë mënyre e rregulluam që ta kapërcenim. Kjo ishte një lidhje e sinqertë dhe po të më thonin ndonjë gjë do të thoja “nuk po bëj ndonjë krim, ne duhemi dhe pikë mbaroi”. Kështu jemi njohur ne dhe vitin që vjen kemi 50 vjet bashkë.
Mbi 30 vite martesë, Duda Balje rrëfen njohjen me bashkëshortin: Isha 16 vjeçe, u bëra nënë pas një viti
Deputetja e Kuvendit të Kosovës, Duda Balje ka një histori të gjatë dashurie me bashkëshortin. Në një rrëfim në “Opinion” në Tv Klan, ajo tregon se e ka njohur kur ishte 16 vjeçe përmes lidhjeve familjare. në moshën 17-vjeçare ajo u bë nënë për herë të parë dhe sot kanë 3 fëmijë.
Deputetja shprehet se ka vënë re një ndryshim në familje në Kosovë. Ajo thotë se brezi i saj është rritur në formë tradicionale, por prindërit po përpiqen t’i edukojnë fëmijët në mënyrë moderne.
Blendi Fevziu: Sa vjeç je martuar?
Duda Balje: 16, 17 kam lindur djalin e parë. Pa letërnjoftim.
Blendi Fevziu: 30 e ca vjet jeni bashkë?
Duda Balje: Më shumë se 30. Kemi dy djem dhe një vajzë. Kemi një martesë shumë stabël. Ne në Kosovë, këto shifra nuk besoj se… këtu është pak më ndryshe.
Blendi Fevziu: Shoqëria në Kosovë është pak më tradicionale.
Duda Balje: Është në lëvizje.
Blendi Fevziu: Ma trego pak si u njohe?
Duda Balje: Mes familjes. Unë kam jetuar në Vojvodinë dhe pastaj kam ardhur në Kosovë. Në fakt ka qenë tradita ashtu, nuk kam qenë veç unë. Nuk kam qenë unë si 1 në 15 apo 1 në 20, ka qenë normale. Unë mendoj se faktori kryesor është që rinia në Kosovë është shumë konfuze, ne kemi jetuar në familje tradicionale por kemi influencuar te fëmijët që vajza duhet të shkollohet, të jetë më e pavarur, unë edhe djalin edhe vajzë dhe kemi bërë miks. Ne kemi një familje shumë tradicionale, por fëmijët duam t’i bëjmë shumë modernë.
“Emigracioni ka ndikuar tek martesat në brezin tim”, Tiço: Ka ndryshuar këndvështrimi për lidhjet
“Pse po vështirësohen martesat në Shqipëri?”, është kjo tema që emisioni “Opinion” në Tv Klan trajton mbrëmjen e sotme.
Mes të ftuarve në studio është edhe gazetarja Iva Tiço, e cila vitin e kaluar vendosi t’i jap fund beqarisë. Tiço shprehet se sa i përket gjeneratës së saj emigracioni ka luajtur një rol shumë të madh sa i takon martesave. Për brezin e tanishëm gazetarja shprehet se këndvështrimi për lidhjet ka ndryshuar.
Iva Tiço: Unë jam ajo e bareve dhe ajo që jam martuar vonë dhe hyj tek ata të rinj që e lash kur të më dilte fati quhet në këtë rast.
Blendi Fevziu: E beson idenë që 75% nuk janë në lidhje dhe atë që thotë Sabina, nuk ka meshkuj në Shqipëri?
Iva Tiço: Që meshkuj në Shqipëri nuk ka është një gjë që dihet. Po të kishte meshkuj në Shqipëri nuk do ta sillja nga jashtë. Përtej shakasë emigracioni ka bërë të vetën dhe mos të harrojmë që shumica e emigrantëve janë meshkuj dhe kanë krijuar lidhje me gra të huaja. Përtej shakasë, emigracioni i meshkujve ka bërë të vetën për pjesën e gjeneratës ku jam rritur unë, kurse gjenerata e tanishme besoj që është pak pyetje që nuk janë përgjigjur edhe aq sinqerisht sepse besoj se ata kur thonë lidhje kanë parasysh lidhjen serioze që shkon në martesë, kurse një shoqëri me një të dashur që shkojnë në kinema apo kanë marrëdhënie seksuale nuk e fusin në lidhje. Brezi i tanishëm ka një ndarje mes ‘dating’ dhe lidhjes, kanë një hendek. Kurse në gjeneratën time nëse dilje me një djalë ishte lidhje, nuk kishte ‘dating’, apo po e shoh çfarë do ndodhi t’ja lejm kohës.
/tvklan.al