Anna Gjebrea, vajza e vogël e moderatorit të njohur Ardit Gjebrea, do të përfaqësojë Shqipërinë në Junior Eurovision Song Contest. Kënga e saj “Stand By You” është e dyta në repertorin e Anna-s, por e para e realizuar me videoklip, që do të konkurrojë në një kompeticion prestigjioz.

E ftuar në studion “Rudina” në Tv Klan, Anna ndan disa momente të këndshme nga prapaskenat, nga të cilat patëm edhe disa pamje ekskluzive. Gjatë xhirimeve, Anna ka patur pranë të dy prindërit, por shprehet se babi Arditi “po i bënte stres”.

Rudina Magjistari: Edhe look-u sigurisht është i rëndësishëm në një videoklip. Një karficë e jotja ishte shumë e bukur gjithashtu. Janë detajet që përveç temës së madhe, patjetër. E kujt ishte ideja për këtë karficë?

Anna Gjebrea: Ideja ishte e Joni Peçit.

Rudina Magjistari: Ti ndërkohë je veshur me ngjyrën e verdhë dhe ngjyra e verdhë në vetvete ka simbolikën të optimizmit dhe të energjisë pozitive. Pamë aty babin edhe mamin, kanë qenë pranë teje gjatë xhirimit të videoklipit. Si ishte? Të pëlqeu si fakt që i kishe pranë? Domethënë t’i kishe aty apo mos t’i kishe?

Anna Gjebrea: Do them të vërtetën. Mami nuk ishte problem fare, shumë mirë. Babin, arriti një pjesë që duhej t’i thoja regjisorit “të lutem ma hiq babin se po më bën stres”.

Rudina Magjistari: Pse çfarë bënte babi?

Anna Gjebrea: Te ajo skena që është ai djali që i hedhin ato librat, babit meqë nuk po i pëlqente si e bëja unë pjesën, më thoshte “bëje kështu”, edhe po më bënte presion psikologjik. Edhe u detyrova t’i thoja regjisorit fshehurazi “të lutem ma hiq babin”. Nuk e di çfarë bëri, por ma hoqi.

Rudina Magjistari: Besoj do të të shoqërojë babi në Paris më 19 Dhjetor?

Anna Gjebrea: Patjetër. Po./tvklan.al