Kuvendi ka miratuar në parim buxhetin e vitit 2025, i parashikuar në vlerën e 8.2 miliardë euro më i madhi në historinë e vendit. E ftuar në studion e Pro Business ishte Ekspertja e Ekonomisë Znj.Teuta Nunaj e cila ka analizuar impaktin që pritet të ketë në ekonomi mënyra e shpërndarjes së fondeve.
Sipas Nunaj, buxheti i ri nuk sjell ndonjë risi.
“ Objektivi final në këtë rast është jo vetëm të ndikoje në një stabilitet të ekonomisë së vendit, por edhe në një ulje të borxhit publik, e cila në këtë rast referohet gjithmonë brenda atyre që njihen si paketa fiskale e stabilizojnë dhe e mbajnë më të qëndrueshme ekonominë e vendit. Ndaj do të thoja që kemi të bëjmë me një buxhet të vazhdimësisë, jo të një risie, pra nuk ka një element të ri i cili nuk ka qenë më përpara në buxhetet e parashikuara.”
Teksa analizon financimin e sektorëve, Nunaj thotë se bujqësia nuk ka marrë mbështetjen e duhur për vitin që vjen.
“ Ne kemi një përqendrim të investimeve në infrastrukturë dhe ndaj e ceka që kemi të bëjmë me një buxhet vazhdimësie, pasi infrastruktura vitet e fundit ka qenë një nga objektivat themeltarë të buxhetit të shtetit dhe të vetë qeverisë. Por nga ana tjetër kemi edhe mungesa në mbështetjen e investimit, siç është rasti i sektorit të bujqësisë, i cili mund të themi që është më pak i vlerësuar në krahasim me atë çka ai do duhej të kishte. 2025 është i dyti vit që do të mungojnë fondet IPARD, të cilat kanë qenë një mbështetje shumë e madhe për bujqësinë dhe mungesa e këtyre fondeve nuk është zëvendësuar apo mbështetur nga ana e buxhetimit të bujqësisë.”- tha Nunaj.
Nunaj thotë se investimet në infrastrukturë janë të rëndësishme por shqetësimi ngrihet për kohën e gjatë që duhet që këto investime të kthehen në ekonomi.
“ Qeveria në këtë rast e ka parë të arsyeshme që investimet më të mëdha apo buxhetimet më të mëdha të vijojnë në infrastrukturë dhe janë 1.6 mld euro të cilat janë planifikuar. Edhe pse janë investime të cilat janë në vazhdimësi, pra pjesa më e madhe janë për rrugë në proces dhe për infrastrukturë në proces dhe një pjesë e vogël e këtij investimi janë për të reja. Së pari do të themi që janë të domosdoshme, pra nuk janë investime të cilat nuk i duhen ekonomisë. Por nëse ne do ta krahasojmë me atë që e quajmë kthimi i investimit, këto investime kthehen në një kohë më të gjatë e më të vonuar të investimit dhe kjo ndikon në kohë më të gjatë në rritjen ekonomike.”
Ekspertja ka folur edhe për çështje të tjera ekonomike si inflacioni, luhatjet e kursit të këmbimit, informaliteti në paga, impakti i sektorit të ndërtimit në ekonomi dhe zhvillimi i turizmit. Për më tepër ju ftojmë të ndiqni emisionin e plotë nën drejtimin e gazetares Oljana Maloku