Pak muaj në drejtim të Kombëtares kanë shërbyer për Christian Panuccin që të përshtatet më së miri me ambientin kuq e zi dhe jetën në Tiranë.
“Jam ndjerë shumë mirë gjatë këtyre muajve, pasi më mbështet federata dhe jam i befasuar nga shqiptarët dhe Tirana më pëlqen. Jam shumë i lumtur me këtë që po kaloj.”
Trajneri i Kombëtares tregoi për TV Klan edhe objektivat për të ardhmen dhe prurjet e reja ne ekip.
“Po afroj lojtarë dhe mund të them se është një rinovim i pjesshëm. Është e drejtë që të afrohen lojtarë të rinj me cilësi, po ndjekim edhe të tjerë. Ne duam të fitojmë grupin në Ligën e Kombeve. Po ndërtojmë një ekip të mirë dhe mendoj se do të jemi protagonistë. Ne do të përpiqemi të ndërtojmë një ekip që të provojë që të kualifikohet në Euro 2020.”
Shorti i Ligës së Kombeve do të hidhet më 24 janar me Shqipërinë që është pjesë e Divizionit C. Punën e deritanishme të Christian Panuccit e vlerëson edhe ish-trajneri Gianni De Biasi.
“Unë mendoj se është një bilanc i mirë, pasi janë të pranueshme humbjet me Spanjën dhe Italinë edhe pse më këtë të fundit Shqipëria meritonte më shumë. Fitorja me Turqinë ishte e rëndësishme. Ka bërë mirë që ka afruar këta të rinj që janë cilësorë dhe unë mendoj se trajneri nuk duhet të ndalet dhe ta përmirësojë. Uroj që duke nisur nga e Liga e Kombeve skuadra të arrijë objektivat.”
De Biasi pati një përvojë të hidhur pas largimit nga Kombëtarja me Alaves në Spanjë, por kjo e bën që të mos dorëzohet.
“Ishin 2 muaj pushime në Spanjë, duhet të ishin ndryshe. Besoj se gabova, duhet të prisja. Unë doja të punoja në ligën spanjolle. Të shohim për të ardhmen. Uroj që të gjej një mundësi që të punoj ashtu siç bëj.”
Christian Panucci dhe Gianni De Biasi ishin të ftuar në mbrëmjen e fundvitit të Federatës Shqiptare të Futbollit.
Tv Klan