Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Me 100 vota pro, 1 kundër dhe 9 abstenime, parlamenti ka pranuar dekretin e Presidentit të Republikës, për kthimin e ligjit të pronave, por vërejtjet e presidentit do t’i kalojnë më parë komisioneve parlamentare për diskutim dhe ndryshimet e propozuara do të votohen sërish javën e ardhshme.

Dekreti i presidentit u vlerësua si një shans për konsensus të gjerë në ligjin për njohjen, kthimin dhe kompensimin e pronave, pasi varianti i miratuar nga shumica parlamentare, sipas opozitës është antikushtetuese, kufizon pronën dhe shkakton kaos për të pastrehët.

Sali Berisha: “Ju vendosët, merrja Prenës jepja Lenës, merja Colit jepja Lolit, merrja Fatosit jepja Gramozit. Po pse me këtë do të na bindni ju për kryetarin? Jo or zotëri”.

Gramoz Ruçi: “Anëtarët e komisionit të ekonomisë dhe të ligjeve tuajt, zoti Loli, kanë dhënë mirëkuptimin e plotë 100% në këto komisione, por meqë Coli ndryshoi qëndrim edhe lolët votojnë pro qëndrimit të tija”.

Namik Dokle: “Unë duke qenë dakord me zotin Berisha, që në këto çështje nuk duhet t’ia marrësh Lolit dhe t’ia japësh Colit, besoj që edhe ai është dakord me mua që nuk duhet t’ia marrësh Lalës dhe t’ia japësh Salës”./tvklan.al

Gazetare: Arta Tozaj