Berisha merr edhe kalanë e fundit brenda PD-së, grupin parlamentar të saj. Edhe pse tashmë është vendosur data për ndryshimit e kreut të këtij grupi, duket se kjo është formale. Kundërshtarët e Berishës kanë zbuluar sot një nga të fshehtat e Kuvendit ku në momentin e fundit është ndryshuar procedura për zgjedhjen e kryetarit të grupit parlamentar.

Sipas këtij ndryshimi, drejtuesi i këtij grupi do jetë një nga nënkryetarët e rinj të PD-së. Pra edhe kreu i deputetëve do të dalë mbledhja e Këshillit Kombëtar që do të zhvillohet ditën e premte. Kështu Genc Pollo automatikisht nuk do jetë më edhe kryetar i grupit parlamentar të PD-së. Berisha ka eleminuar në këtë mënyrë të gjithë kundërshtarët e tij brenda partisë pasi që nga Pollo, Xhaferri, Demi, Meksi e deri tek i përjashtuari Ylli Vejsiu, janë lënë jashtë të gjitha forumeve të Partisë Demokratike.

Grupi i të moderuarve në parti që tashmë u kanë mbetur vetëm mandatet e deputetëve, duket se do të nisë një lëvizje të re. Kjo fillon që nga takimet ndërkombëtare ku sot Pollo e Demi do të fluturojnë drejt Anglisë të ftuar në kongresin e Partisë Konservatore ku do të zhvillojnë edhe një srë takimesh. Ndoshta krijimi i një fondacioni demokratik brenda Partisë Demokratie, do të jetë mënyra tjetër për të sjellë ndryshimet e mëdha në këtë parti./tvklan.al

Gazetare: Ornela Bego